Kosova e shënoi 12 vjetorin e shpalljes së pavarësisë, në një periudhë trysnish të ripërtërira ndërkombëtare për një marrëveshje përfundimtare mbi normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe më një skenë politike ndryshe nga ajo e përpara më shumë se një dekade.
Krerë institucionalë ngritën flamurin shtetëror, vunë kurora tek shtatoret e ish udhëheqësve politik e ushtarak të vendit dhe nderuan të rënët e të zhdukurit gjatë luftës së fundit. Parlamenti i Kosovës u mblodh në seancë solemne për të shënuar këtë përvjetor, të cilën e çeli kryetarja e parlamentit, Vjosa Osmani..
Osmani shtoi se pavarësia e Kosovës e ka vulosur edhe fatin edhe lirinë e popujve në Ballkan dhe se ishte hapi vendimtar në konsolidimin e marrëdhënieve mes popujve në Europën Juglindore të cilët duan të jetojnë të lirë e të pavarur dhe në paqe me njëri tjetrin.Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha në një fjalim para Forcës së Sigurisë së Kosovës se vendi duhet të jetë i bashkuar në politikën e jashtme, ndërsa përmendi dhe partnerët ndërkombëtarë.
Në urimin e tij në këtë përvjetor, presidenti Hashim Thaçi theksoi se integrimi në institucionet euroatlantike mbetet e vetmja alternative për vendin. Kosova shpalli pavarësinë e saj më 17 shkurt të vitit 2008, nëntë vjet pasi ndërhyrja e NATO-s i dha fund luftës gati dyvjeçare që la pas vetes mbi dhjetë mijë të vrarë dhe mijëra të zhdukur. Pavarësia e saj është njohur nga më shumë se 100 vende të botës, por vazhdon të kundërshtohet nga Serbia.
Top Channel