Përballja e parë Kurti-Vuçiç/ Në konferencën e Sigurisë në Mynih, në panel edhe Kryeministri Rama

15/02/2020 12:13

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se nuk e konsideron takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, pjesëmarrjen e përbashkët në një tryezë në Mynih.

Kurti e theksoi për REL se nuk u takua veçant me presidentin serb. “Unë nuk jam takuar me Vuçicin. Kemi qenë në një tryezë të rrumbullakët, ku kanë qenë të ftuar të gjithë udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor”, u shpreh shefi I ekzekutivit Kosovar pas pjesëmarrjes në një diskutim mbi mundësitë për Ballkanin Perëndimor. Diskutimi u zhvillua në margjinat e Konferencës Ndërkombëtare të Sigurisë, e cila i nisi punimet të premten në Mynih, me pjesëmarrjen e rreth 35 udhëheqësve të shteteve dhe qeverive.

Kurti nuk dha detaje mbi debatin me dyer të mbyllura, duke respektuar kështu rregullat e organizatorit të panelit, që nuk lejon të bëhen publike pikëpamjet e pjesëmarrësve (Chatam House Rules). Megjithatë, ai e pranoi se ka pasur tensione në tryezën e rrumbullakët. “Vuçiç ndjeu shumë presion për shkak të asaj që thashë. Pastaj pasoi reagimi i tij me nervozizëm”, sqaroi kryeministri kosovar. Vuçiç tha më herët se është takuar me Kurtin në Mynih dhe se takimi ka qenë “i ashpër”.

Duke folur për Radio-Televizionin e Serbisë, Vuçiç shtoi se ka luftuar për interesat e Serbisë. Edhe ai nuk nxori detaje nga debati i mbyllur, por deklaroi se “ka folur të vërtetën” dhe se ka mbrojtur popullin serb “në mënyrën më të mirë të mundshme”. Diskutimi për Ballkanin Perëndimor në Mynih të Gjermanisë shënoi herën e parë të pjesëmarrjes së Kurtit dhe të Vuçiçit në të njëjtën tryezë. Kurti deklaroi një ditë më parë se për dy marrëveshjet e nënshkruara në Berlin, zyrtarët nuk kishin marrë autorizimin e qeverisë së re as për të negociuar e as për të firmosur.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA