Presidenti i Kosovës, Hashim Thaci dhe ai i Serbisë, Aleksander Vuçiç, nënshkruan sot marrëveshjen për linjën hekurudhore Prishtinë-Beograd dhe për autostradën. Marrëveshja u nënshkrua me ndërmjetësimin e të dërguarit të posaçëm të SHBA për dialogun Kosovë-Serbi Richard Grenell.

Ky i fundit u takua mbrëmjen e të enjtes në Mynih me të dy presidentët dhe pas takimeve u deklarua se do të përmbyllnin kuadrin e marrëveshjes për linjën hekurudhore mes Kosovës dhe Serbisë, bisedimet teknike për të cilën nisën muajin e kaluar.

 “Ne do të lëvizim në marrëveshjet e reja pas arritjes së marrëveshjes për linjën fluturuese ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Tash do të kemi edhe angazhimet tjera për linjën hekurudhore në mes Kosovës dhe Serbisë, por edhe në nivel ndërkombëtar, në nivel rajonal. Do të punojmë maksimalisht si institucione të Republikës së Kosovës, gjithë spektri politik, shoqëria civile, mediet, gjithë njerëzit që të arrijmë në marrëveshje finale, që nënkupton si dy vende të pavarura dhe sovrane në mes Kosovës dhe Serbisë”, tha Thaçi.

 “Biseda ishte e sinqertë por nuk ka bisedime të lehta për ne. është shumë e rëndësishme që amerikanët fuqishëm ngulin këmbë për heqjen e tarifave, menjëherë, që të vazhdojnë bisedimet ndërmjet nesh dhe Prishtinës”, tha Vuçiç.

Marrëveshja për linjën hekurudhore Kosovë-Serbi vjen pas asaj për rihapjen e linjës ajrore Prishtinë-Beograd. Ambasadori Grenell këmbëngul se përmirësimi i lidhjeve ekonomike mes dy vendeve do të ndihmojë procesin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve. Në këtë kuadër ai kërkon edhe heqjen e taksës 100 për qind mbi mallrat serbe që nga Beogradi konsiderohet pengesë për vazhdimin e dialogut. Ndërsa Beogradit i ka kërkuar të heqë dorë nga fushata për tërheqjen e njohjeve të Kosovës.

Top Channel