Shkrimtari Nasho Jorgaqi ka lëvruar prozen poetike gjerësisht. Tema e dashurisë zë vend të rëndësishem dhe mendoj se është ajo që ka vënë në lëvizje penën e autorit.
Ai vjen me këtë gjini sa të bukur dhe aq elegante dhe është i vetmi që e lëvron atë aq bukur. Suksesin lexuesi e ndjen tek kjo temë poetike, ndaj mendoj se ato janë prozat me të frymëzuara shprehet poeti Dhori Qiriazi, në një intervistë të tijin.
Në gjininë e hajkut krijimtaria e Nasho Jorgaqit është thjeshtë magjike, mahnitëse dhe përmalluese. Është zor të gjesh një lëvrues kaq brilant të këtij lloji krijimi delikat. Para këtij libri, Nasho Jorgaqi u botua në greqisht me dy libra në gjininë e hajkut me titujt “Duke rrokur vetëtimat” dhe “3x17x3”, ku u mirëprit në një përurim të jashtëzakonshëm të librave të tij në Athinë. Poeti i njohur grek Kristo Tumanidhi e cilësoi profesorin si një nga poetët dhe studiuesit më të mëdhenj që ka njohur.
Pak fjalë për autorin
Shkrimtari Nasho Jorgaqi është një figurë e njohur në letërsinë tonë, ai renditet tashmë në kollosët e letrave shqipe, që i përket brezit të viteve ‘60 e në vazhdim, si avangard me bashkëkohësit e brezit të tij, Agolli, Arapi, Drago Siliqi e të tjerë, të cilët me veprat e tyre kanë meritën që e çuan përpara letërsinë tonë, duke dhënë një kontribut të çmuar dhe për njohjen e saj në arenën ndërkombëtare. Ai i përket një kohe, kur një pjesë e brezit të tij u arsimuan në të parin Universitet shqiptar me pedagogë të shquar të viteve të para dhe pas çlirimit si: A. Xhuvani, E. Çabej, A. Buda, Dh. Shuteriqi, Demiri, Xhaxhiu e të tjerë, me të cilët vite më pas, Nasho Jorgaqi u bë koleg me ta.
Që në hapat e para, ai duke qenë një student i talentuar në letërsi, u bë shpejt pjesë e asaj fidanishteje që nisi të kultivohej në ato dekada të para të viteve ‘50-‘60, në të cilat Nasho Jorgaqi spikati, sidomos me tregimin e më pas me novelat e tij të para mbresëlënëse, ndër to, “Dashuria e Mimozës”. Nasho Jorgaqi është një emër i dëgjuar dhe një krijues shumë aktiv në të gjitha stinët e moshës, si shkrimtar, studiues, biograf, përkthyes, skenarist filmash, profesor i shquar i letërsisë shqipe, që vit pas viti ka sjellë një faqe të re si në prozën poetike dhe në poezinë moderne të letërsisë shqipe.
Hajku, si një formë e re në poezinë tonë, është gjithashtu një zë i veçantë, duke i dhënë asaj një formë moderne larg vargëzimeve tradicionale të rimës, apo të vargut të lirë. Nasho Jorgaqi në poezinë e tij të hajkut, nuk i jep shumë rëndësi vargëzimit, rrokjeve apo rimës, por mendimit e gjykimit të spikatur filozofik kryesisht me tre vargje.
Top Channel