Rruga e lumit të Vlorës, shpallet fituesi për lotin e tretë

08/02/2020 18:59

Shpallet fituesi i tenderit për lotin e tretë dhe të fundit të rrugës së lumit të Vlorës. Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka nxjerrë fituese kompaninë italiane INC me qendër në Torino, e cila ka dhënë një ofertë prej 3.5 miliardë lekësh, rreth 29 milionë euro për ndërtimin e segmentit ura e Laskos, Qepara.

Ky lot është i gjatë gati 24 km dhe punimet duhet të zgjasin rreth 2 vite. Segmenti i parë i rikonstruksionit të rrugës së lumit të Vlorës ka përfunduar plotësisht. Puna ka nisur për lotin e dytë, ura e Gjormit-Kuc. Investimi është siguruar nga fondi kuvajtjan me 40 milionë dollarë, fondi saudit me 30 milionë dhe 27.4 milionë dollarë jepen nga qeveria shqiptare, i gjithë financimi është 97.4 dollarë. Projekti ndjek gjurmën e vjetër të rrugës që nis nga Vlora, kalon mes për mes zonës së Labërisë dhe përfundon në Qeparo, pranë Himarës.

Rruga aktuale pothuajse nuk ekziston dhe kalimi mjaft i vështirë. Ndërkohë projekti parashikon t’i japë zgjidhje të qëndrueshme infrastrukturës publike në zonën e Bregdetit të Jugut. Turizmi dhe bujqësia janë potencialet e zonës dhe aksesi në rrugë do të rrisë mundësitë e zhvillimit, ndërkohë që rruga e re është një alternativë e mirë për të shkuar nga Vlora në Himarë duke shmangur Llogarën. Deri në pranverën e vitit 2022 duhet të përfundojë ndërtimi i të gjithë rrugës. Ajo do të lidhet gjithashtu me by-passin e Vlorës, di dhe do të ketë një degëzim për në Levan të Fierit.

Top Channel