Sezoni i çmimeve në Hollivud arrin finalen e tij ekstravagante të oskarëve, të dielën, me filmin epik 1917 që konsiderohet se do të jetë fituesi i madh në skenë në natën më të madhe të industrisë së filmave.

Personalitete të veshura pa të meta dhe ekspertë filmi do të parakalojnë në tapetin e kuq në teatrin Dolby në Los Angeles, ndërsa muaj të tërë fushatash për 24 statujat e arta, do të kulmojnë në një natë të vetme.

Eventi vjen ndërsa Hollivudi është në zi për vdekjen e Kirk Douglas, një nga të mëdhenjtë e kinemasë, që u nda nga jeta të mërkurën në moshën 103 vjeçare.

1917 i Sem Mendes, është filmi që ka nisur vonë rrugëtimin për oskarin e këtij viti pasi iu prezantua votuesve vetëm dy muaj më parë, por ekspertët parashikojnë se ai mund të anashkalojë të gjithë rivalët. Odiseja e Luftës së parë botërore për dy ushtarë që kalojnë në një tokë asnjanëse, i filmuar sikur të ishte një xhirim i pandërprerë, ka mahnitur thuajse të gjithë dhe rezultati final do të shihet mbrëmjen e të dielës.

Ai është favoriti për shumë oskarë. Ndërkohë Joker, kryeson në nominime, me plot 11, i ndjekur nga The Irishman dhe Once upon a time in Hollivud me nga 10 nominime.

Top Channel