“KÇK, nismë anti-kushtetuese”/ Braimllari: Këto 7 vite, Rama dhe qeveria e tij kanë fuqizuar krimin e organizuar

08/02/2020 17:19

Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Endrit Braimllari ka reaguar për paketën Anti-KÇK dhe e sheh si një nismë antikushtetuese për të tërhequr vëmendjen nga problemet me të cilat po përballet vendi në të vërtetë.

Braimllari akuzon kryeministrin e vendit dhe deputetët e qeverisë aktuale si një grup i strukturuar kriminal që duan të shkatërrojnë reformën në drejtësi dhe nuk lë pa përmendur as përgjimet zyrtare, dosja 184 dhe 339.

Reagimi i plotë:

Paketa Anti-KÇK është një nismë antikushtetuese e cila bëhet në këto momente për të tërhequr vëmendjen nga problemet me të cilat po përballet vendi. LSI vlerëson çdo betejë kundër krimit të organizuar por krimi i organizuar nuk luftohet me propagandë, luftohet me strategji dhe vullnet të qeverisë. Nuk mundet Edi Rama pas 7 vitesh të luftojë krimin e organizuar sepse në këto 7 vite është kryeministri dhe qeveria e tij, që ka fuqizuar krimin e organizuar duke e mbështetur dhe duke i përdorur në fushatë për interesin e tij ashtu siç dolën në përgjimet zyrtare dosja 184 dhe 339.

Përpjekjet e Edi Ramës për të kapur Gjykatën Kushtetuese janë të qarta sepse ai kërkon të ligjërojë paligjshmërinë e tij dhe të qeverisë së tij. Kalimi në Parlament i një ligji i cili kërkon të marrë një kompetencë kushtetuese të institucionit të Presidentit të Republikës mbi betimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese tregon qartë që Edi Rama dhe deputetët e tij ilegjitim janë tanimë një grup i strukturuar kriminal që duan të shkatërrojnë reformën në drejtësi duke kapur çdo institucion në këtë vend edhe duke ligjëruar paligjshmërinë etj.

Top Channel