Rusia akuzon Izraelin për rrezikim të avionit të pasagjerëve gjatë sulmeve në Siri

07/02/2020 18:23

Ministria ruse e mbrojtjes ka akuzuar homologët e tyre izraelitë për krijimin e situatave të rrezikshme ku një avion pasagjerësh u vu nën zjarrin e armëve teksa ishte duke u ulur në aeroportin e Damaskut.

“Ishte një avion që udhëtonte nga Teherani drejt Damaskut dhe në kohën e sulmit në borg kishte 172 pasagjerë”, tha zëdhënësi i ministrisë ruse Igor Konashenkov.

Sipas gjeneralit natën e të enjtes 6 shkurt, katër avionë izraelitë F-16 goditën me sulme në zonat e Damaskut pa hyrë në hapësirën ajrore siriane.

“Vetëm falë veprimeve të shpejta të kontrollorëve të aeroportit të Damaskut dhe sistemit automatik të kontrollit ajror, u bë e mundur largimi i avionit të pasagjerëve Airbus-320 nga zona e operimit të sistemeve raketore mbrojtëse dhe ulja e tij në bazën ajrore ruse Khmeimim,” tha Konashenkov.
Ai shtoi se fluturimet ndërkombëtare kryhen gjithmonë në lartësi të njohura dhe se radarët e izraelit e njihnin situatën në aeroportin e Damaskut.
“Operacione të tillë të ushtrisë izraelite nuk tregojnë interes për jetën e qindra civilëve të pafajshëm”, shtoi ai.

Top Channel