Ata janë të domosdoshëm dhe të pazëvendësueshëm për prodhimet kryesore të Hollivudit por sidoqoftë, kur vjen fjala tek ceremonia e çmimeve Oscar, nuk ka një kategori dedikuar atyre. Kundërfigurat do ta donin shumë një statujë të artë, veçanërisht tani kur shohin pak nga vetja e tyre tek Brad Pitt, që është nominuar si aktori më i mirë mbështetës për portretizimin e një kundërfigure në “Një herë e një kohë në Hollivud” të Kuentin Tarantinos. Kjo për ta është një mundësi e artë për ta shtyrë akademinë drejt krijimit të një kategorie të dedikuar.

Daniel Locicero

Pavarësisht faktit nëse fytyra jonë shihet apo jo, edhe ne, kundrafigurat, duhet të vlerësohemi, jo vetëm për punën që bëjmë, por për faktin se edhe garantojmë që të gjithë të tjerët të jenë të sigurtë.

Janë kundërfigurat ata që realizojnë skenat më të rrezikshme në filma, kur ndodh një aksident i pabesueshëm, kur bëhet fjalë për një skenë përleshjeje apo aksioni që kërkon një përgatitje të veçantë. Kundërfigurat rrezikojnë jetët e tyre për të bërë që aktorët të duken mirë, ndaj me të drejtë mund të pyesin, përse të mos jenë edhe ata në garë për një statujë oskar?

Bordi i akademisë së Oskarëve, pranon se kundërfigurat japin një kontribut unik në filmbërje, por nuk ka pranuar deri më tani të shtojë një kategori të re në eventin e përvitshëm.

Ka pasur zëra dhe përpjekje që kjo të realizohet, madje janë hartuar edhe peticione për shtimin e kësaj kategorie, por deri më tani, nuk  është arritur asgjë.

Unë mendoj se Oskarët janë pak të trembur nga ne, për momentin. Na kanë dhënë shumë arsye përse ne nuk mund të jemi pjesë. Dhe asnjë nga këto arsye nuk ka kuptim. Një herë na thanë: Nëse ju japim ju çmimet, atëherë ju do të shkoni atje dhe do të rrezikoni akoma më shumë jetën në përpjekje për të marrë një statujë.

Por tani, kur vetë kundërfigurat shohin Brad Pitt, që luan rolin e tyre dhe nominohet madje për të, mendojnë se është koha për një tjetër përpjekje.

Top Channel