Qendra e Kosovës për studime të Sigurisë, tha në një studim se Rusia po e përdor ndikimin e saj për të penguar njohjet e pavarësisë së Kosovës dhe parandalimin e anëtarësimit të saj në organizata ndërkombëtare, por ajo e ka të pamundur të shtrijë ndikimin e saj brenda Kosovës për shkak të shumicës së popullsisë shqiptare.

Këto komente u bënë në një konferencë lidhur me zbërthimin e ndikimit rus në Kosovë, ku u paraqitën disa të dhëna të studimit të kryer në kuadër të programit Fulbright Specialist, i mbështetur nga Departamenti Amerikan i Shtetit dhe ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë. Autori i studimit, Elis Vllasi tha se Serbia është arsye e ndikimit të Rusisë edhe në Kosovë.

 “Kur mendojmë për ndikimin rus në Kosovë gjetjet e mija janë që ndikimi rus në Kosovë nuk ka të bëjë veçanërisht me Kosovën si të tillë, ndikimi rus në Kosovë ka të bëjë me rajonin, Ballkanin Perëndimor dhe me ish vendet e ish-bllokut komunist, si dhe me Serbinë.

Sipas studimit, zgjedhjet e shpeshta, mungesa e bashkërendimit ndërmjet institucioneve të sigurisë, mungesa e sundimit të ligjit, korrupsioni dhe krimi i organizuar janë disa nga çështjet që shfrytëzohen nga Rusia në përpjekjet e saj për të ndikuar në Kosovë. Por sa është shkalla e ndikimit rus në Kosovë? Sipas Vllasit, influenca maksimale është e pamundur, por ekziston sidoqoftë, dhe kjo për shkak të korrupsionit. Sipas tij, më shumë se 90 për qind e popullatës nuk ka lidhje kulturore, fetare apo etnike me Rusinë, asnjë mendim për çfarëdo që Rusia ka për të ofruar, shumica e popullatës në Kosovë mban drejtim perëndimor. Prezenca e Shteteve të Bashkuara, NATO-s dhe institucioneve të ndryshme të Bashkimit Evropian ngushton hapësirën për Rusinë që të operoj në Kosovë.

Top Channel