Heronjtë e koronavirusit/ Nderime në Kinë për mjekët dhe infermierët

07/02/2020 12:10

Të dërrmuar nga lodhja, mjekët dhe infermierët që po luftojnë me koronavirusin vdekjeprurës në Kinë flenë nëpër karrige dhe në korridoret e spitaleve.

Autoritetet kineze i bënë homazh me mijëra punonjësve “ heronj” të stafit mjekësor, të cilët po punojnë pa reshtur për të frenuar epideminë e për të shpëtuar sa më shumë jetë që të munden. Bilanci i vdekjeve ka mbërritur tashmë në 565 dhe mbi 28,500 të infektuar ndërsa virusi është përhapur në 28 vende dhe territore.

Që prej muajit dhjetor, spitalet janë mbushur plot me pacientë të sëmurë. Pjesa dërrmuese e rasteve është në Wuhan të provincës Hubei, që konsiderohet dhe si epiqendra e sëmundjes. Në mediat sociale, mjekët dhe infermierët e përfshirë në këtë betejë me vdekjen po quhen “ heronj “ dhe “ luftëtarët në të bardha”. “ Ata po luftojnë për ne duke e ditur shumë mirë rrezikun që i pret dhe vetë. Edhe ata janë prindërit, kanë fëmijë, djem e vajza”, shkruan gazeta e partisë Komuniste kineze, People’s Daily.

E njëjta gazetë postoi dhe foto që tregonin se çfarë enjtjesh dhe shenjash të dhimbshme u le në fytyrë mjekëve përdorimi I maskave të ngushta mbrojtëse për orë të tëra. Ndërkohë, eksperti kinez i sëmundjeve infektive Yang Gonghuan thotë se Kina zgjodhi të sakrifikonte Hubein e Wuhanin, dhe 11 milionë njerëz të futur në karantinë atje për të shpëtuar botën nga coronavirusi. “Është si luftë”, u shpreh ai, “disa gjëra është e vështirë të bëhen, por janë të domosdoshme.

Top Channel