Një arsye për të mposhtur dhimbjen! Prindërit e Marvi Mihalit që u vra për një karikues sjellin në jetë një vajzë

06/02/2020 17:43

Tre vite më parë, sherri për shitjen e një aparati celular mes disa të rinjve përfundoi tragjikisht për Marvi Mihalin. E gjithë zënka ndodhi për një karikues, ndërsa ky sherr banal i mori jetën 19-vjeçarit, i cili ishte djali i vetëm i familjes Mihali.

Prindërit e Marvit luftuan për të vënë në vend drejtësinë për të birin, ndërsa 3 vite pas hidhërimit të thellë, ka lindur sërish shpresa në shtëpinë e tyre.

Ndonëse mbi moshën 50 vjeç, prindërit e tij kanë sjellë në jetë një vajzë dhe “kanë arsye të mposhtin dhimbjen dhe të fillojnë të lumturohen gradualisht”, siç dhe shkruan gazetari Bledi Mane.

Këtë e ka bërë të ditur gazetari Bledi Mane me anë të një shkrimi në Facebook ku thotë:

“LAJM I GËZUAR/ MARVI MIHALI BËHET ME MOTËR!

E mbani mend para tre vitesh, u kujtohet vrasja makabre për një karikues celulari e djaloshit 19 vjeçar Marvi Mihali në Tiranë?

Veç dhimbjes, veç humbjes, veç jetës së djalit të tyre të vetëm ndërperë padrejtësisht, prindërit e Marvit luftuan si heronj edhe me drejtësinë halabake dhe vampire shqiptare. Dy prindër intelektualë kurajozë, këmbëngulën duke i dhënë krimit dhe gjykatave shqiptare mësimin e merituar. Megjithëse në moshë mbi 50 vjeç, mësuesja e anglishtes Fatmira dhe bashkëshorti i saj Pavllo Mihali, kampioni i dikurshëm i atletikës, sot kanë arsye të mposhtin dhimbjen dhe të fillojnë të lumturohen gradualisht. Ata sapo janë bërë prindër të një vajze duke na treguar të gjithëve se jeta ngrihet mbi plagët e vdekjes.

Vëllai më i ri në Tiranë Marvi Mihali tashmë nuk lëngon në varr nga plagët e vrasjes me thikë, ai gëzon se tashmë ka një motër të vogël të bukur e cila erdhi në jetë jo për hakmarrje por për të përcjellë dashuri në një vend të plagosur nga qytetarët e tij…”.

Gjykata penale, në prill të vitit 2019 dha vendimin për 4 të pandehurit e vrasjes makabër të Marvi Mihalit. Gjykata vendosi të dënojë me 12 vite burg Eugen Bitrajn, vëllezërit Kridens dhe Marsel Allajn (në mungesë) dhe me 19 vite burg autorin kryesor Dejvis Bitrajn.

Top Channel