Strategji e re për Ballkanin/ Propozohet nga Komisioni Evropian plani për zgjerimin

05/02/2020 15:48

Ashtu siç pritej, Komisioneri europian i zgjerimit Olivér Várhelyi prezantoi në Bruksel propozimin për të çuar përpara procesin e zgjerimit të BE-së. Në fjalën e tij, Várhelyi e bëri të qartë se zgjerimi i BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor është prioritet i krahut ekzekutiv të bllokut.

“Ne jemi duke punuar në tre pista: Së pari, ne jemi duke propozuar hapat konkretë sesi mund të përmirësohet procesi i pranimit. Po ndërsa po hidhen hapa drejt forcimit dhe përmirësimit të procesit, qëllimi kryesor mbetet anëtarësimi i plotë në BE. Së dyti, dhe paralelisht, Komisioni i qëndron deri në fund rekomandimeve të tij për çeljen e negociatave të pranimit të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërinë dhe shumë shpejt, do të sigurojë një përditësim mbi përparimin e bërë prej të dy këtyre vendeve. Së treti, në përgatitjen e Samitit BE-Ballkan Perëndimor në Zagreb në maj, Komisioni do të paraqesë një plan zhvillimi ekonomik dhe investimesh për rajonin”.

Ursula von der Leyen reagoi menjëherë në Twitter duke e përshkruar këtë si një mesazh të mirë “për miqtë e Ballkanit Perëndimor”.

“Sot Komisioni Europian propozoi një plan të besueshëm dhe dinamik që i çel rrugës hapjes së negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Zgjerimi i BE-së është një situatë nga e cila fitojnë të gjithë”, ka shkruar shefja e KE-se.

Propozimi i komisionit, siç u tha dhe në Bruksel, merr parasysh qëndrimet e shteteve anëtare dhe “interesat gjeostrategjike të BE”, por edhe interesat e vendeve që duan të hynë në bllokun Europian.

Komisioneri Varhelyi sqaroi se metodologjia e re do të bazohet në katër parime: kredibiliteti, parashikueshmëria, dinamika dhe forcimi i udhëheqjes politike. Fokusi i saj përqendrohet tek forcimi i shtetit juridik, forcimi i institucioneve demokratike dhe zhvillimi ekonomik. Në Bruksel shpresohet, se në samitin e majit në Zagreb do të hapen negociatat edhe me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe se kjo do të rezultojë me një hov të ri për zgjerimin e BE.

Top Channel