Veliaj i jep “Çelësin e Qytetit” Presidentit të PE, Sassoli: Tirana, një qytet evropian me një kryebashkiak të aftë

04/02/2020 17:27

“Qytet evropian, i gjallë, me ide dhe një kryebashkiak të aftë”, ishin fjalët që Presidenti i Parlamentit Evropian, David Sassoli, zgjodhi të përshkruajë Tiranën, gjatë takimit që pati sot paradite me kryetarin Erion Veliaj. Në këtë vizitë, e cila përkon me 100-vjetorin e shpalljes së Tiranës Kryeqytet, Presidenti Sassoli tha se Shqipëria është gati për procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe Tirana është “pasaporta” më e mirë e vendit në Europë dhe në botë.

“Kam ardhur këtu para shumë vitesh dhe sot gjej një qytet evropian. Është një qytet i gjallë, me investime ngado, plot me ide, me një kryebashkiak të aftë. Të kesh një ide për të ardhmen, ky është imazhi që përçon sot Tirana, dhe kjo është një vlerë për të gjithë, jo vetëm për shqiptarët, por edhe për ne, duke qenë se jemi të bindur që Shqipëria është gati për procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Tirana është ‘pasaporta’ më e mirë e Shqipërisë në botë dhe në Evropë”, theksoi Sassoli.

Presidenti i PE-së nënvizoi se Shqipëria është gati për proceset e integrimit. “Ka një këndvështrim të përbashkët, që është jo vetëm integrimi që shpresojmë të bëhet shumë shpejt realitet, por mbi të gjitha i një trashëgimie të përbashkët që quhet Evropë dhe që duam ta bashkërendojmë me Shqipërinë. Unë kam parë një qytet evropian, që paraqitet si një qytet evropian dhe ky për ne është imazhi më i mirë që një qytet mund të japë. Jemi të sigurt se Shqipëria është gati për këtë proces, është vetëm çështje e disa burokracive, por ka një frymë që na përket dhe është e përbashkët”, deklaroi Sassoli.

Në shenjë të miqësisë, kryebashkiaku Veliaj i dhuroi Presidentit Sassoli “Çelësin e Qytetit”. “Jam i lumtur sot që në selinë e Bashkisë së Tiranës kemi një mik, një vëlla, një fiorentin, një italian dhe një evropian. Dua t’i uroj jo vetëm mirëseardhjen dhe ta mirëpresim gjithmonë në Tiranë, por jam sot i nderuar që në emër të qytetit të Tiranës, në këtë 100-vjetor, t’i japim “Çelësin e Qytetit” kryetarit të Parlamentit Europian, që e konsiderojmë si të shtëpisë”, tha Veliaj.

Ai theksoi se Shqipëria ka një mundësi të jashtëzakonshme për t’u integruar në BE, jo vetëm për të filluar procesin burokratik, por edhe për të bërë më shumë për diplomacinë mes qyteteve. “Me një njeri të shtëpisë flasim hapur për problemet që kemi, për sfidat, por edhe për mundësitë. Vërtetë kemi vështirësi, por çdo vështirësi është një mundësi. Me fjalët e kryetarit kemi një mundësi të jashtëzakonshme për t’u integruar me BE, jo vetëm për të filluar procesin burokratik, por edhe për të bërë më shumë diplomaci mes qyteteve dhe sesi ne si qytete mund të ngremë një standard për t’u ndjekur edhe qytetet e tjera, ndoshta më të vogla e periferike, apo për të qenë një kartëvizitë e një diplomacie mes qyteteve. Më vjen mirë që Davidin e konsiderojmë një mik, vëlla dhe një avokat të jashtëzakonshëm të Kombit tonë në ambicien tonën evropiane”, u shpreh Veliaj.

Gjatë vizitës së tij në Bashkinë e Tiranës, kryetari Erion Veliaj njohu Presidentin e Parlamentit Evropian, David Sassoli me transformimin që ka pësuar sheshi “Skënderbej”, si dhe me një sërë projektesh të rëndësishme infrastrukturore të cilat kanë përmirësuar cilësinë e jetës në kryeqytet.

FOTO GALERI
2/5

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA