Kaosi në zgjedhjet e demokratëve në Ajoua, ku rezultatet janë vonuar për shkak të problemeve teknike, është pritur mirë nga Donald Trump i cili tha se ishte ai fituesi i tyre.

Në një postim në “twitter”, Trump tha se gjithçka kish qenë një katastrofë e vërtetë, duke sugjeruar se kjo ishte një provë se demokratët nuk mund të ishin të besueshëm për të udhëhequr vendin.

“I vetmi person që mund të pretendojë një fitore të madhe në Ajoua, është Trump”, shkroi ai.

Zyrtarët e partisë demokratike fajësuan një problem teknik. Votat do të tabulohen tani me dorë dhe rezultati do të publikohet më vonë. Sidoqoftë, rezultati i papërcaktuar ende ka krijuar skepticizëm për procesin e zgjedhjeve paraprake dhe ka ngritur pikëpyetje nëse ajoua, një shtet rural që nuk është shumë përfaqësues i elektoratit amerikan, si i tërë, duhet të vazhdojë të jetë i pari që do të mbajë zgjedhjet paraprake. Vetë Trump ka thënë se për sa kohë që ai të jetë president, Ajoua do të qëndrojë aty ku është. E rëndësishme, ka thënë ai, është tradita.

Demokratët shpresojnë ti pamundësojnë atij një tjetër mandat në zgjedhjet e këtij viti. Pas Ajouas, ndalesa e radhës e tyre është Nju Hempshajëri, ku zgjedhjet paraprake të radhës do të mbahen të martën, më 11 shkurt.

Top Channel