Britani, rregulla të reja për trajtimin e të dënuarve për terrorizëm

04/02/2020 05:23

Kryeministri britanik Boris Johnson tha se do të veprojë për të mos lejuar lirimin e parakohshëm nga burgu të terroristëve të dënuar. Komentet vijnë pas një sulmi në rrugë nga një militant islamik pak ditë pasi ishte lënë i lirë nga burgu ku kishte kryer vetëm gjysmëçn e dënimit. Kryeministri Johnson tha se durimi i tij “nuk mbante më” për lirimin e të dënuarve para se të shlyenin burgimin dhe pa asnjë shqyrtim paraprak.

“Ne mendojmë se është koha për të ndërmarrë veprime, pasi disa njerëz, pavarësisht nga ligji që po sjellim, nuk kualifikohen automatikisht për lirim të parakohshëm,” tha kryeministri Johnson në një fjalim.

Policia britanike vrau të dielën një person për të cilin tha se mbante në trup një eksploziv të rreme. Policia tha se ai goditi me thikë dy persona në një rrugë me shumë njerëz në lagjen Streatham në jug të Londrës.

Sipas zëvendës Ndihmës Komisioneres Lucy D’Orsi, policia beson se i dyshuari është 20-vjeçari Sudesh Amman, i cili kohët e fundit u la i lirë nga burgu për “vepra terrorizmi të lidhura me sfond islamik”.

Ai kishte hartuar dikur edhe një listë të “qëllimeve të tij në jetë”, ku përfshinte dëshirën për të vdekur si martir.

Një person mashkull i cili mori plagë të rrezikshme për jetën tani është jashtë rrezikut. Po ashtu, një grua që u plagos me thikë ka dalë nga spitali. Një person i tretë u plagos lehtë nga copat e xhamave kur policia qëlloi mbi të dyshuarin.

Incidenti i djeshëm me thikë vjen pak më shumë se dy muaj pasi Usman Khan, një terrorist i dënuar dhe i liruar para kohe nga burgu, vrau dy njerëz dhe plagosi tre të tjerë në një sulm me thikë në Urën e Londrës. Më pas ai u vra nga policia./VOA

Top Channel