Glauk Konjufca, tashmë ministër i Punëve të Jashtme, i ka dorëzuar detyrën kryetares së Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani.
Këtë post ai tha se po ia dorëzon një deputeteje që ka dhënë kontribut të madh në Kuvendin e Kosovës.
“Nuk kam asnjë dyshim që do ta kryejë këtë detyrë me nder e me respekt, që do ta fuqizojë Kuvendin e Kosovës, që do të kujdeset që ky tempull i demokracisë, t’i kryejë detyrat e saj kushtetuese. E që të punojë për të mirën e qytetarëve të Kosovës. Zonja Osmani, edhe një herë urime, e të priftë e mbara”, tha ai.
Me zgjedhjen e qeverisë Kurti, Konjufca tha se relacioni mes ekzekutivit e Kuvendit të Kosovës, do të jetë demokratik dhe që legjislativi do të jetë në krye të detyrës.
Edhe kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka uruar Konjufcës, derisa ka vlerësuar punën e deritanishme.
Osmani: Shpresoj që do të kemi bashkëpunim edhe tash e tutje Video “E falënderoj Z. Kojnufcën që jo vetëm gjatë kësaj periudhe si kryetar i Kuvendit të Kosovës na përfaqësoi të gjithëve denjësisht, jo vetëm partinë e tij, por edhe në të njëjtën kohë për bashkëpunimin e shkëlqyer që kemi pasur deri më tani. E shpresoj që do ta kemi edhe tash e tutje kur ai e merr pozitën e ministrit të jashtëm”, deklaroi Osmani.
Kryeparlamentarja e parë grua në Kosovë, Vjosa Osmani, u zgjodh në këtë post me 65 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, raporton KosovaPress.
Top Channel