Kryeministri britanik, Boris Johnson ka vendosur të mbajë një qëndrim pa kompromis në bisedimet tregtare me BE pas Brexit-it.

Blloku evropian dhe Mbretëria e Bashkuar kanë kohë deri në fund të vitit për të nënshkruar një marrëveshje. Tani, Johnson pritet të parashtrojë kushte të ashpra në bisedimet tregtare me Brukselin. Kreu i Mbretërisë së Bashkuar pritet të thotë se “Britania do të përparojë” pavarësisht nga rezultati.

“Nuk ka nevojë për një marrëveshje të tregtisë së lirë që të përfshijë pranimin e rregullave të BE-së për politikën e konkurrencës, subvencionet, mbrojtjen sociale, mjedisin, ose ndonjë gjë të ngjashme,” do të thotë Johnson në fjalën e tij, sipas fragmenteve të lëshuara nga zyra e vet vetëm pak ditë pasi Britania e Madhe u largua nga blloku tani 27 anëtarësh i BE.

Ai gjithashtu pritet të thotë se nëse Bashkimi Evropian nuk pranon një marrëveshje të ngjashme me atë që ka me Kanadanë, atëherë tregtia me BE duhet të bazohet në marrëveshjen ekzistuese të tërheqjes së Anglisë, e cila ngjason me “atë të Australisë.” Pasi u largua zyrtarisht nga BE në 31 Janar, Mbretëria e Bashkuar tani ka 11 muaj kohë për të arritur një marrëveshje tregtare me Bashkimin Evropian përpara se të përballet me rregullat e tregtisë së OBT-së. Bisedimet e tregtisë në Mbretërinë e Bashkuar me BE do të fillojnë në mars.

Top Channel