Eugent Bushpepa i bashkohet aksionit për mbjelljen e 100 pemëve në liqenin e Farkës

03/02/2020 14:16

Pas Liqenit Artificial, qytetarët e Tiranës kanë edhe një tjetër mjedis çlodhës e argëtues për fëmijët, atë te Parku i Farkës.

Katër vite më parë, kjo zonë i ngjante një landfilli mbetjesh, ndërsa sot është kthyet në një destinacion turistik për qytetarët, por edhe për të apasionuarit pas sporteve. Nismës së Bashkisë së Tiranës për mbjelljen e pemëve iu bashkua edhe këngëtari e kantautori i njohur shqiptar, Eugent Bushpepa, i cili bashkë me kryebashkiakun Erion Veliaj, mori pjesë në aksionin e mbjelljes së 100 pemëve të blirit në këtë park.

“E nisëm bashkë këtë mëngjes në një nga zonat më të bukura të Tiranës, si liqeni i Farkës, për disa arsye: së pari, sepse shoku ynë, Genti, super artist, një roker i vërtetë, na dëshmoi që është po aq i aftë me lopatën sa edhe me kitarën. Besoj se secili prej nesh kujton rrënjët e veta. Asnjë nuk ka lindur as në Bllok as në skenë, të gjithë kemi lindur në familje të thjeshta, me origjinë nga zona rurale, nga fshati. Patjetër që e shijojmë jetën urbane, por nuk e kemi harruar lidhjen me natyrën. Dhurata që na ka bërë Genti sot, me 100 pemë bliri në liqenin e Farkës, është një dhuratë që edhe kur të mos merremi me këtë punë, edhe kur të kemi dalë në pension, këto pemë do të mbeten këtu”, tha Veliaj.

Kantautori Eugent Bushpepa vlerësoi nismën e Bashkisë së Tiranës që synon të shtojë “mushkëritë” e kryeqytetit. “Më bëhet qejfi që edhe unë jap kontributin tim, sado të vogël, për t’i shtuar diçka mushkërive të Tiranës”, shtoi ai.

Kryebashkiaku dha lajmin e mirë se këtë vit do të punohet për përfundimin edhe të pjesës së mbetur të pistës dhe pedonales përgjatë liqenit, duke shtuar edhe më shumë hapësirat e aksesueshme për qytetarët. “Më vjen mirë që në këto 4-5 vite, një liqen i cili ishte kthyer në landfill për Tiranën, është gjelbëruar, është bërë gjysma e pistës dhe këtë vit do të punojmë për gjysmën tjetër, që do të dalë edhe më e gjatë se liqeni i Tiranës. Mosha e prindërve tanë krenohej sesi mori një hapësirë të zhveshur dhe e ktheu në liqenin e Tiranës. Por, nuk ndodhi brenda natës. Ndodhi përditë nga pak. Me shokë të mirë si Eugenti ndihem më optimist që do ta bëjmë më shpejt sesa gjenerata e prindërve tanë një histori suksesi”, tha Veliaj.

Për këtë, kryebashkiaku kërkoi bashkëpunimin e qytetarëve jo vetëm për mirëmbajtjen e hapësirave, por edhe për të kontribuar në shtimin hapësirave.

FOTO GALERI
3/4

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA