VV dhe LDK sot pritet të nënshkruajnë marrëveshjen për formimin e Qeverisë ‘Kurti’

02/02/2020 08:58

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, sot pritet të nënshkruajnë marrëveshjen për bashkëqeverisje, një ditë para mbajtjes së seancës së Kuvendit të Kosovës, në të cilën pritet të votohet Qeveria me kryeministër Albin Kurtin.

Pas më shumë se dy muaj bisedimesh sot do të marrë fund saga e takimeve të vështira në mes krerëve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës me një marrëveshje për koalicion qeverisës midis këtyre dy subjekteve politike.

Marrëveshja, që pritet të nënshkruhet sot, është paralajmëruar gjatë së shtunës nga përfaqësues të dy subjekteve politike. Ishte LDK ajo që dje mblodhi krerët e partisë në një takim, në të cilin duket se u arrit ujdia që të ndajnë përgjegjësitë e qeverisjes me LVV-në, në atë mënyrë që të dy subjektet do të lëshojnë pe nga qëndrimet e tyre të deritashme, shkruan Telegrafi.

Sipas nënkryetarit të LDK-së, Lutfi Haziri, i cili foli dje pas takimit konsultativ, tashmë marrëveshja me LVV-në është shumë afër, duke thënë se LVV do të udhëheq me Qeverinë, kurse LDK do të ketë Kryetarin e Kuvendit.

Sipas kësaj i bie që LVV është pajtuar që kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca të japë dorëheqje për t’ia lënë këtë post kandidatit të LDK-së.

Arritjen e marrëveshjes, nënshkrimi i së cilës pritët të ndodhë sot, e kanë paralajmëruar edhe zyrtarë të tjerë të lartë nga LVV dhe LDK.

Top Channel