Marrëveshja gati?! Mediat në Prishtinë: Sot nënshkruhet qeverisja VV-LDK

02/02/2020 00:53

Mediat në Prishtinë raportuan pasditen e së shtunës së marrëveshja për bashkëqeverisje mes Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës është arritur dhe do të nënshkruhet të dielën.

Zyrtarisht nuk ka asnjë komunikim nga të dy partitë, por Top Channel kërkoi një konfirmim nga këto dy forca politike. Në rrugë jozyrtare mësuam nga LDK se një marrëveshje është finalizuar por duhet të kalojë në strukturat e dy partive të dielën për miratim. Burime nga Vetëvendosje thanë se janë duke përmbyllur detajet e fundit të finalizimit.

Më herët LDK pas një mbledhjeje të partisë përmes nënkryetarit Lutfi Haziri ripërsëriti se nuk hiqnin dorë nga posti i Kryetarit të Kuvendit. Sipas kohës ditorë pritet që Glauk Konjufca të japë dorëheqjen të dielën dhe në vend të tij të zgjidhet Vjosa Osmani nga LDK. Ndërsa çështja e presidentit do të diskutohet ndërmjet partive kur t’i përfundojë mandati presidentit aktual, Hashim Thaçi.

“Kur kanë mbetur vetëm edhe 40 orë deri te seanca e Kuvendit të Kosovës për qeverinë Kurti, sigurisht se kemi inflacion hamendësimesh e spekulimesh. Komunikimi, konsultimet dhe takimet midis LVV dhe LDK janë intensifikuar në këto orë të fundit.Lëvizja VETËVENDOSJE! do të njoftojë publikun dhe anëtarësinë sapo të ketë marrëveshje!” thuhet në një komunikatë zyrtare të Vetëvendosjes.

Top Channel