Kandidatët demokratë presidencialë, fushatë intensive para votimit në Ajova

02/02/2020 06:06

Anketat e fundit tregojnë se senatori nga Vermonti, Bernie Sanders po fiton mjaft terren në garën brenda partisë demokrate në shtetin Ajova, ku të hënën më 3 shkurt mbahen votimet e para paraprake të fushatës për zgjedhjet presidenciale të këtij viti. Zoti Sanders është një nga kandidatët demokratë që po kërkon mbështetjen e votuesve në Ajova dhe rezultati konsiderohet vendimtar në betejën për emërimin e kandidatit presidencial të Partisë Demokrate.

Në Ajova, Bernie Sanders shpreson që rritja e mbështetjes e kohëve të fundit, t’i sjellë fitoren në Ajova. “Ajo që po themi me zë të lartë dhe pa u druajtur është: ‘po, administrata jonë do të jetë një administratë e klasës së punëtorëve të këtij vendi. Nga ai grup vij dhe ky person jam”, tha ai në një nga takimet e fushatës.

Senatori Sanders shpreson të dalë në krye në Ajova, duke lënë pas ish-nënpresidentin Joe Biden, i cili ka argumentuar për një kohë të gjatë se është kandidati demokrat me shanset më të mira për të mundur Presidentin Donald Trump në nëntor dhe për të bashkuar vendin.

“Presidenti i ardhshëm do të trashëgojë një vend të përçarë dhe një botë në kaos. Dhe mendimi im është se nuk ka kohë për të bërë praktikë në detyrë. Ai person duhet të dijë menjëherë se çfarë duhet të bëjë”, tha ai.

Një tjetër kandidate e fortë është senatorja nga Masaçusets, Elizabeth Warren, që ka premtuar ndryshime rrënjësore nëse zgjidhet. “Vendimet në Uashington merren gjithmonë nën ndikimin e parave. Dhe nëse duam ta rregullojmë, nuk mund ta bëjmë vetëm me ndryshime kozmetike. Duhen ndryshime strukturore”, thotë ajo.

Kandidati tjetër me mbështetje të konsiderueshme është ish-kryebashkiaku i qytetit South Bend të Indianës, Pete Buttigieg, një politikan relativisht i ri në politikën kombëtare. “Dhe mendoj se synimi i presidencës, nuk është që të vihet në piedestal presidenti. Është që të fuqizohet dhe bashkohet populli amerikan, që të realizohen objektiva të mëdha. Prandaj po kërkoj mbështetjen tuaj dhe ky është mesazhi ynë”, tha ai.

Gjyqi në senat për shkarkimin e mundshëm të Presidentit Donald Trump, ka detyruar katër kandidatë demokratë që të marrin pjesë në seanca, çka do të thotë se senatorët Sanders, Warren, Michael Bennet i Kolorados dhe Amy Klobuchar e Minesotës, nuk po bëjnë fushatë në Ajova në një moment kyç.
“Do të marrim pjesë deri në fund. Do të dëgjojmë provat. Dhe ne mund të bëjmë dy gjëra njëkohësisht. Dhe do të gjejmë mënyra që të bëjmë fushatë presidenciale”, thotë senatorja Klobuchar.

Analisti John Fortier thotë se edhe me forcimin e pozitave të senatorit Sanders, anketat tregojnë se gara në Ajova është e paparashikueshme.
“Votuesit demokratë sapo kanë filluar ta përqëndrojnë vëmendjen tek gara dhe unë besoj se ka hapësirë për ndryshim. Votuesit në terren në Ajova dhe kudo në shkallë kombëtare kanë krijuar një ide për këta kandidatë, por tani do të fillojnë të mendojnë me seriozitet për ta. Dhe mendoj se gjëja më e rëndësishme për demokratët është që të mundin Donald Trumpin”, thotë ai.

Votimi në Ajova është faza e parë e një procesi të gjatë brenda partisë, nga i cili do të dalë kandidati ose kandidatja presidenciale e partisë në kuvendin e partisë në korrik në Miluoki të Uiskonsit./VOA

Top Channel