Rehabilitimi i Lanës/ Qeveria miraton fondin 13 mln euro

30/01/2020 14:26

Qeveria ka miratuar një fond prej rreth 13 milion euro për rehabiltimin e shtratit të lumit të Lanës.

Gjysma e kësaj shume do të përballohet nga buxheti i shtetit dhe gjysma nga buxheti i bashkisë së Tiranës dhe do të ndahet në tre vite duke filluar nga 2021. Për çdo vit do të akordohen rreth 4,3 milion euro.

Territori që ndikohet nga projekti shtrihet në një sipërfaqe prej 110 ha, si vazhdim i bulevardeve Gjergj Fishta dhe Bajram Curri në zonën e shkollës teknologjike. Sipas projektit, parashikohen 2 ura për nevojat e zhvillimit urban mbi shtratin e ri të lumit. Kryesisht ndërtimet përgjatë lumit të Lanës janë ndërtime informale banimi 1, 2 dhe 3 kate, të vetë ndërtuara dhe me kushte minimale të banimit.

Këto banesa kanë mangësi të theksuara në lidhje me infrastrukturat sociale dhe inxhinierike. Lidhjet me rrjetin e ujit të pijshëm shpesh mungojnë dhe ato furnizohen me ujë pusi, i cili mund të jetë i ndotur. Po ashtu, edhe rrjeti i infrastrukturës së ujërave të zeza është informal, kështu që të gjithë kanalizimet janë shpërndarë mbi ose nën tokë. Infrastruktura rrugore është krejtësisht rastësore dhe nuk lidhet me asnjë linjë të transportit publik.

Rehabilitimi i lumit Lana do të ndikojë pozitivisht në zhvillimin e kësaj zone, duke siguruar një infrastrukturë të qëndrueshme, e cila do t’i shërbejë edhe terrioreve përreth saj, duke përmirësuar gjendjen tejet të amortizuar të infrastrukturës ekzistuese. Ky projekt do të zbatohet nga Bashkia Tiranës.

Top Channel