Zyra e BE-së në Kosovë prezantoi sot raportin “Mbështetja e mëtejshme e institucioneve të Kosovës në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe ekstremizmit të dhunshëm”. Me këtë rast tha se konfiskimi i pasurisë së fituar në mënyrë të jashtëligjshme është çelësi për luftimin e krimit dhe korrupsionit.
Kryetari për sundim të ligjit në BE, Cezary Michalczuk, tha se Kosova ka një legjislacion të mirë sa i përket konfiskimit të pasurisë së fituar në mënyrë të jashtëligjshme dhe sipas tij tash mbetet të shihen rezultatet konkrete.
“Ne kemi diskutuar për konfiskimin, ka mbetur një kornizë shumë e mirë për luftimin e këtyre veprave. Ato që priten janë konkrete, rezultate konkrete, pra konfiskim”, tha ai.
Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, tha se Kosova nuk ka shënuar rezultate në konfiskimin e pasurisë, por që tha se çelësi i luftimit të korrupsionit është konfiskimi i pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme.
“Është e vërtetë se deri më tani nuk kemi pasur rezultate të prekshme në konfiskim. Çelësi i suksesit në luftën kundër korrupsionit është konfiskimi i pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme”, tha ai.
Udhëheqësi i projektit Ian Mcdonald, tha se Kosova ka legjislacion të fuqishëm sa i përket konfiskimit.
“Pasi dikush është dënuar për një krim të organizuar, pritet t’i shpjegojë gjykatës nga ka ardhur e gjithë pasuria e tij. Korniza ligjore që ka Kosova është më e fuqishme dhe më e lehta për t’u vënë në funksionim”, tha ai.
Ish-drejtori i projektit Andrea D’Angelo, tha se konfiskimi është dera më e rëndësishme për luftimin e krimit./M.Duraku/
Top Channel