Perspektiva e Ballkanit Perëndimor/ Sa ndikon Brexit te zgjerimi

29/01/2020 02:41

Pas daljes së Britanisë së Madhe nga BE do të ndryshojnë shumë gjëra. Por sa do të ndikojë Brexiti ne perspektivën e Ballkanit Perëndimor? Ministri gjerman për Europën, Michael Roth, duke folur për zgjerimin e bllokut, sqaron se Gjermania është e mendimit që kjo është një çështje e veçantë.

Berlini angazhohet për fillimin sa më të shpejtë të negociatave për pranimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në BE. Ndërkohë që Franca ka qenë kundër. “Shpresoj se do të ketë lëvizje lidhur me këtë këtë temë. Komisioni i BE do të paraqesë së shpejti një propozim me të cilin shpresojmë se do të bien dakort të gjitha vendet anëtare,” tha Roth për DW.

Britania e Madhe do të dalë nga BE në 31 janar. Parlamenti Europian duhet që në 29 janar të miratojë marrëveshjen e shkëputjes së këtij anëtari të tij të rëndësishëm. Pritet që BE deri në fund të vitit t’i ofrojë Londrës një ujdi për rregullimin e raporteve mes tyre në të ardhmen.

Ndërkohë, kryetarët e parlamenteve të vendeve të Ballkanit Perëndimor janë mbledhur në një samit të përbashkët në Bruksel, i cili mbahet me ftesë të Presidentit, David Sasolli. Qëllimi i takimit është përfshirja e parlamenteve, si ai europian, ashtu edhe ato të rajonit, në çështjet e zgjerimit dhe marrëdhënieve të përgjithshme me BE-në. Aty është treguar edhe një herë se Parlamenti Europian nuk tërhiqet nga pozicioni për të çelur sa me parë gjatë presidencës kroate bisedimet me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Top Channel