Në fillim të shekullit XX një aktor me timbrin ekzotik gjuhësor mori vëmendjen dhe adhurimin e publikut në gjithë Europën, me karrierë të nisur nga skena gjermane.

Ishte aktori me origjinë shqiptare, Aleksandër Moisiu. Mw poshtw botohet një tregim ku për herë të parë shfaqet Moisiu krijues, si dhe kulmin e aktorit, kur shkrimtari Stefan Cvajg i kushton talentit të tij një artikull, krahas 40 personaliteteve të shquara të botës së artit ndërkombëtar.

NJË VAJZË

Nga ALEKSANDËR MOISIU

Opera e oborrit të qytetit perandorak, Vjenës, galeria e katërt, vendi 40 krojcer gratis nga kryetari i grupit k. k. të të angazhuarve për duartrokitje. Me stomakun hungërues te personazhi Gounod i “Faustit”. Çfarë bën kjo tetëmbëdhjetë vjeçe e gjysmë. Pranë meje një vajzë. Shikimi im anash jashtëzakonisht më i shpeshtë, me gjithë errësirën, mund të vinte re: fytyrën shumë tërheqëse, bionde të errët. Përpara fillimit të aktit të dytë ne flasim me njëri-tjetrin. Një zë i dashur. Lumturia është aty, më në fund! Po të jesh kaq i ri, thua gjithmonë “më në fund”, nuk ke kohë. (Aty ku pret kaq shumë kohë.) Jam i magjepsur në mënyrë të papërshkrueshme nga fqinja ime dhe kam frikë… me faqe të rrufitura, më shumë sesa i thjeshtë në veshje, jo i gjatë, jo i bukur… si mund të shpresoja… Akti i kopshtit: “të dashuroj, kaq thellësisht, jam krejtësisht i yti…”. Unë hapa dorën time, të djathtën e zgjas – në mënyrë vërtet të pandërgjegjshme – paksa kundrejt saj… Dhe ajo, pa më parë në sy, vendos dorën e saj të majtë, – atë të zemrës – heshturazi, tek e imja. Nuk guxoj ta shtrëngoj këtë dorë të vogël që dridhet, e mbaj atë me kujdes si një zogëz të gjorë, e mbaj atë gjatë, gjatë – përgjatë tërë aktit të kopshtit. Çfarë lumenjsh lumturie më ngrohnin tejpërtej! Ajo apo asnjë! (Ju lutem, mos harroni, tetëmbëdhjetë vjeçe e gjysmë!) Pushimi i madh. Më kot lutja ime të shkonim të shëtisnim pak. Bëhem më këmbëngulës. Ajo më falënderon me vështrim të pashpjegueshëm të druajtur, qëndron e ulur. Unë nuk i ndahem asaj, dëshiroj ta bind për një ekskursion, nesër, pasnesër, së shpejti, vetëm shumë shpejt, në pyllin e Vjenës dëshiroj të endem bashkë me të mbi një det gjethesh të verdha, sepse është vjeshtë, është në këtë moshë të dhimbjes së botës, stina ime. (Q ysh atëherë të katër stinët më përkasin mua.) “Megjithatë, sa bukur do të ishte… Nuk e besoj se ju do të ecni me mua”, – përgjigjet ajo në mënyrë enigmatike. Unë bëj be e rrufe, betohem, harroj çdo masë. – “Shttt! Shtt! Qetësi!” – buçet nga të gjitha anët. (Me të drejtë! Por o Zot! Tetëmbëdhjetë vjeçe e gjysmë!) “Kori i engjëjve, grupi qiellor, shpirti yt përjetësisht”. …Perdja. Unë përmbush detyrën time si duartrokitës i operës, pastaj ngrihem. Ajo qëndron e ulur. “Është më mirë, të shkoni… Ikni, unë nuk do të vij me ju, sigurisht që jo”, – përgjërohet ajo. Unë i marr nga dora kuponin e gardërobës. Triumf, unë kam një peng! Sjell mantelin e saj, qëndroj duke pritur me pallton e saj atje dhe ia ngul sytë derës. Dhe pres. Më në fund… një vajzë që çalon ecën me mundim drejt meje. Më lë që ta ndihmoj të veshë pallton. “Shumë faleminderit”, – thotë ajo, duke parë në zbrastësi, me zë të ashpër. Nuk mund ta fshihja tmerrin tim, belbëzoj diçka si mirupafshim… Ka kaluar thuajse një jetë njeriu qysh prej asaj mbrëmjeje. Sa e sa pije më janë ofruar qysh atëherë. Të ëmbla, të tharta, të hidhura… Megjithatë: Ky çerek shekulli nuk ishte i ëmbël, as i hidhur, as i thartë në mënyrë të mjaftueshme, që të më bëjë të harroj se dikur mund të shuhej i gjithë ngazëllimi, e gjithë magjepsja, sepse… një këmbë ishte më e shkurtër sesa tjetra. Këtë qenie të mjerë e kam kërkuar gjithë këto vite, si një i syrgjynosur në errësirë që kërkon dritën, kam kërkuar me sy dhe me zemër. Unë atë nuk e takova kurrë sërish. Kam parë një pjesë të mirë të rruzullit tonë tokësor të xhungosur, kam harruar pabesisht shumë gjëra të përjetuara, disa i kam ruajtur dhe mbajtur. Por kurrë nuk do ta harroj atë, çaluesen e gjorë, e cila ishte e ulur pranë meje në galerinë e katërt dhe nuk donte të ngrihej me çdo çmim, për të fshehur këtë defekt përpara një vështrimi që e përkëdheli atë. Sot, pas njëzet e pesë vjetësh, unë i them asaj “Më falni” – dhe i puth fajtor duart e saj…

Moisiu në bisedë

Nga Stefan Cvajg

Tashmë kjo, siç përkrah ai ndonjërin, – shkëndijë drite në syrin e errët, hijeshi në çdo gjest të trupit melodioz, gjithnjë ende i ri për shkak të zjarrit komunikues – tashmë ky të bën për vete. Ndonjë fjalë e thotë ai për përshëndetje, një “Gëzohem” ose “Më në fund po shihemi sërish një herë”, por më parë se buza të formojë një gjë të tillë, me tonin grykor të vetëm e megjithatë dridhës, prej kohësh fjala është thënë tashmë nëpërmjet dorës së zgjatur përzemërsisht, nëpërmjet kësaj buzëqeshjeje të mirë të hapur shpengueshëm lart në sytë shprehës dhe njëkohësisht, poshtë në buzën e gjallë djaloshare: jugor, jugor i pashërueshëm, ai sjell gjithmonë me vete, për të mos ngrirë, diellin e atdheut të tij. Ai duhet të ketë ngrohtësi, ngrohtësinë e njerëzve dhe ndjenjave, shokëve, miqve, shokëve të ngushtë, grave. Eshkë për zjarrin e tij gjithmonë të gatshëm, për të qenë ai vetë i vërtetë: atij do t’ia marrë frymën ngurtësia, atë do ta vrasë mërzia. Pas disa minutash ai e përkul ashpër një fjalë te një çengel, për të ngacmuar ndonjërin si banderileroja demin, sepse ai ka nevojë që njerëzit rreth vetes t’i gjallërojë, në diskutime të jenë pasionantë, të nxitur për zgjim, ai do ngrohtësi, zjarr apo të paktën fishekzjarr. Jo, asnjë e mirë indiferente apo e keqe mbi teatrin dhe aktorët, ky zanat i gjallëruar, jo: diskutim, diskutim mbi çështjet shpirtërore, politike, vendimet që përfshijnë tërë njerëzimin, tërë kohën. Qenie salamandrike, e cila ndihet mirë vetëm në nxehtësi, në të ndjerin e ngrohjes tokësore, ai në teatër, ashtu si në dhomën më private, krijon në fillim atmosferën e shqetësimit shpirtëror, gatishmërinë e duhur të nervave dhe tani vetëm, kur fjalët përplasen nxehtësisht kundër njëra-tjetrës, ai vetë hidhet në sferën e mundshme vetëm për të. Pastaj ai fillon të flasë, të tregojë, të sqarojë dhe zëri përkëdhel veten, rrotullohet poshtë e lart shkallëve si një mace duke luajtur me lëmshin e saj, mendimin e zhvilluar në oktavat që ngjiten dhe bien muzikalisht përgjatë tërë shkallës së instrumentit tingëllues të fytit; nganjëherë me një qepallë mbyllin sytë për ta ndier ligjërimin e tij vetëm si muzikë, pastaj sërish ndonjëri joshet nga loja e hirit të trupit të tij, kureshtar për të parë në mënyrë të pandërgjegjshme ritmiken e lëvizjes shoqëruese dhe për të shijuar ekstazën e tij si çast i përsosur nga pikëpamja plastike. Dhe pikërisht më shumë nga kureshtja sesa nga bindja atij i hedhin papritmas ashpër ndonjë trung kundërshtimi në rrugë, vetëm që pastaj të shohin edhe inatin e tij në mënyrë alegorike, hedhja përpjetë e beftë nga kolltuku, vetullat që mblidhen fort midis syve, për të dëgjuar se sa krejtësisht metalik bëhet ky zë nën mbulesën muzikore, shumë i mprehtë, prerës, një thikë e hekurt. Por tashmë ai ka vënë re se atë vetëm donin ta joshnin me kundërshtim arbitrar, jashtë nga vetja dhe brenda më thellë në nxehtësi – që e goditën më furishëm për të shtendosur tërë regjistrin dhe ai, i cili jeton në lojë, buzëqesh hareshëm dhe në mënyrë djaloshare dhe duhet të të hapet zemra, kur e sheh atë të buzëqeshë kështu, krejt pa vetëkënaqësi, jo për veten, por për të tjerët, kështu siç flet ai për të tjerët, ai që dhuron pareshtur, ai që kumton përjetësisht. Atë nuk mund ta përfytyrosh të nxehur, të mbyllur, jo: gjithmonë vetëm duke luajtur, duke buruar, duke u shkapërdarë. Si rrjedhojë, mëson, bashkë me të, çdo herë sërish diçka nga më esencialja e botës në një orë që fluturon shpejt: për të qëndruar i ri nëpërmjet përkushtimit dhe për të mos u lodhur falë dëshirës gjithnjë të njëjtë për pasionin gjithmonë të ri.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA