65 për qind e qytetarëve të Kosovës, besojnë se politikanët kanë më pak gjasa të ndëshkohen nga ligji. Sipas tyre, personat e përfshirë në politikë janë të pandëshkueshëm. Ndërkohë, më shumë se gjysma e qytetarëve në vend, mohojnë të kenë parë ndonjë përmirësim në sistemin e drejtësisë.
Këto janë përfundimet e Grupit për studime juridike dhe politike që u fokusua tek sfidat në sundimin e ligjit në Kosovë.
Sipas Rreze Hoxha, duhet punuar shumë për rikthimin e besimit të qytetarëve.
“…Nga të dhënat e analizës del se më shumë se gjysma e qytetarëve mohojnë të kenë vërejtur përmirësim në sistemin e drejtësisë. Më pak se 30 për qind besojnë se kanë vërejtur efekte pozitive në këtë aspekt”.
Aurora Mullatahiri tha ndërkohë se qytetarët i besojnë më pak gjykatave, pasi mendojnë se janë të ndikuara nga politika.
“Sa i përket ndikimit politik për vitin 2019, rreth 65.2 për qind e qytetarëve besojnë se politikanët kanë më pak gjasa të ndëshkohen nga ligji, kurse vetëm 10.3 për qind prej tyre mendojnë se qytetarët janë të barabartë para drejtësisë”.
Rreth 40 për qind e qytetarëve të anketuar konsiderojnë se Policia e Kosovës është institucioni më i pavarur, ndërsa 11.7 mendojnë se gjykatat janë të pavarura në ushtrimin e detyrës së tyre.
Top Channel