Matteo Salvini i të djathtës ekstreme në Itali, është përballur me një disfatë pasi Lega Nord e tij u mund nga Partia Demokratike e qendrës së majtë në një proces zgjedhor të ndjekur me shumë interes në veri të vendit.

E majta ka qeverisur Emilia Romanian që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore. Salvini ndërkohë u investua jo pak në këtë zonë, para zgjedhjeve të së dielës. Sidoqoftë, rezultatet paraprake, tregojnë një fitore të Partisë Demokratike atje, ndonëse jo me një distancë të konsiderueshme, mes 49 dhe 51 për qind të votave.

Lega e veriut, e Salvinit, duket se ka marrë nga 43 deri në 45 për qind të votave, por gjithsesi, rezultatet përfundimtare priten gjatë ditës.

Zgjedhjet janë konsideruar gjerësisht si një test për qeverinë e koalicionit, në të cilën lëvizja populiste “Pesë Yjet”, ka bashkuar forcat me Partinë Demokratike, pasi Salvini tërhoqi mbështetjen e partisë së tij në atë që u pa si një lëvizje taktike por që nuk dha rezultatet e dëshiruara për të. Partia e Salvinit, anti emigracion, dështoi sidoqoftë të fitonte bastionin e hershëm majtist.

Emilia Romania ka dërguar një sinjal. Salvini di të flasë për problemet por nuk di ti zgjidhë ato, dhe njerëzit kanë folur qartë – tha lideri i Partisë Demokratike, Nikola Zingareti. Sidoqoftë, Salvini dhe aleatët e tij, duket se do të mundin partinë demokratike në një tjetër proces zgjedhor rajonal, në rajonin jugor të Kalabrisë, sipas exit-polleve.

Top Channel