SHBA përgatitet të evakuojë 230 amerikanë nga Wuhani

26/01/2020 05:32

Shtetet e Bashkuara kanë planifikuar të evakuojnë të dielën nga Wuhani qytetarë e diplomatë amerikanë që ndodhen në këtë qytet, epiqendra e shpërthimit të një virusi të ri vdekjeprurës, njoftoi të shtunën “Wall Street Journal”.

Avioni do të ketë rreth 230 persona e do të transportojë diplomatë të konsullatës amerikane e qytetarë amerikanë me familjet e tyre njoftoi gazeta duke përmendur si burim një zyrtar në dijeni të operacionit.

Uashingtoni ka marrë miratimin e autoriteteve kineze për këtë operacion shkruante gazeta. Gjithashtu është planifikuar që konsullata amerikan në Wuhan të mbyllet përkohësisht.

Të shtunën Presidenti kinez Xi Jinping tha se vendi po përballet me një situatë të rëndë, gjatë një takimi lidhur me masat për të përballuar gjendjen e krijuar për shkak të shpërthimit të virusit vdekjeprurës raportoi televizioni shtetëror

Shifrat e njoftuara të shtunën flasin për 41 të vdekur në Kinë dhe më shumë se 1.300 të infektuar globalisht, shumica e tyre në Kinë. Vendi po përballet me një “situatë të rëndë” ku koronavirusi është “duke përshpejtuar përhapjen e tij”, tha presidenti Xi gjatë takimit që përkoi me ditën e festës publike për Vitin e Ri Hënor.

Televizioni shtetëtor kinez njoftoi se ekspertët do të jenë të përqëndruar në spitale për trajtimin e rasteve të rënda. Informacionet lidhur me virusin përhapjen e tij duhet të jetë e sakta, të shpejta e transparente njoftoi televizioni shtetëror.

Koronavirusi ka ndalur festimet për Vitin e Ri Hënor për dhjetëra miliona kinezë. Krahas Wuhanit 16 qytete të tjera kineze janë izoluar në një përpjekje për ndalur përhapjen e mëtejshme të virusit. Hong Kongu ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme, duke anuluar festimet zyrtare për Vitin e Ri Hënor dhe ka mbyllur shkollat.

Virusi është përhapur edhe në disa vende të tjera të botës. Pesë raste janë raportuar në Tajlandë, 4 në Australi, Franca, Japonia, Malajzia dhe Tajvani kanë raportuar tre raste secila. Në Shtetet e Bashkuara dhe Vietnam autoritetet kanë konfirmuar dy raste dhe një rast raportuar në Nepal.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA