Durrës/ Vidhnin dyert dhe dritaret e banesave të dëmtuara nga tërmeti, arrestohen dy persona

25/01/2020 10:42

Policia e Durrësit ka bërë me dije se dy persona banues në lagjen 13 në këtë qytet janë arrestuar pasi grabisnin në shtëpitë e dëmtuara nga tërmeti.

Në kuadër të masave për parandalimin e vjedhjeve të banesave të dëmtuara nga tërmeti, zbardhjen dhe kapjen e autorëve të atyre vjedhjeve të ndodhura më parë, Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Durrës, pas një pune hetimore  disa ditore, bazuar edhe në informacionet e marra në rrugë operative, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Ndjekja”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe ndalimi i shtetasve:

  1. Ll., 30 vjeç, banues në Durrës dhe A. K., 47 vjeç,  banues në lagjen nr 13 Durrës, i dënuar me parë për vjedhje.

Ndalimi i këtyre shtetasve u bë në kuadër të operacionit pasi nga veprimet e kryera rezultoi se këta shtetas  në bashkëpunim me njëri -tjetrin, kanë kryer vjedhje në disa banesa në lagjen nr 13 dhe në lagjen nr 17 në një kompleks banesash, banesa të  pa banuara  pasi janë dëmtuar nga tërmeti, ku kanë marrë orendi shtëpiake, dyer e dritare dhe sende të tjera me vlerë.

Në bashkëpunim  me Prokurorinë vijon puna  për dokumentimin edhe të rasteve të tjera që dyshohet se janë kryer nga këta persona.

Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës në ngarkim të këtyre shtetasve për veprën penale të vjedhjes së kryer në bashkëpunim.

Top Channel