Gjyqi ndaj Trump në senat/ Në hetim nuk do të lejohen dëshmitarë të rinj

22/01/2020 20:02

Senati amerikan vijon me hetimin ndaj presidentit Donald Trump, me dëgjimin e deklaratave të hapjes nga një grup anëtarësh të Dhomës së Përfaqësuesve, të cilët argumentojnë se përse presidenti duhet të shkarkohet nga detyra.

Më herët, senati votoi në linja partiake, 53 me 47 për të miratuar rregullat e gjyqit të propozuara nga udhëheqësi i shumicës republikane Mitch McConnell.

Votimi erdhi pas një serie debatesh, sepse demokratët e pakicës kanë kërkuar që në gjyq të lejohet paraqitja e dokumenteve dhe e dëshmive nga ana e zyrtarëve të administratës Trump, të cilët Shtëpia e Bardhë nuk i lejoi të dëshmonin gjatë fazës së hetimit në Dhomën e Përfaqësuesve. Përfundimisht u vendos që si ligjvënësit e Dhomës së Përfaqësuesve që do të bëjnë deklaratat e hapjes ashtu edhe ekipi ligjor i Presidentit Trump do të kenë nga 24 orë afat për këto deklarata në një shtrirje kohe prej tre ditësh.

Gjithashtu, në hetim nuk do të lejohen dëshmitarë të rinj, diçka që demokratët e kërkonin me ngulm. Fakti që votimi u bë në linja të prera partiake flet shumë për rezultatin e pritshëm të gjykimit, pra është thuajse e sigurt që ky hetim nuk do ta shkarkojë Presidentin Trump nga detyra pasi asnjë nga republikanët nuk ka sinjalizuar se do të votonte kundër tij.

Vetë Trump ka sulmuar ashpër kundërshtarët e tij në senat, por tha se do të preferonte një gjykim më të gjatë, në mënyrë që zyrtarët e lartë të administratës së tanishme dhe ata të mëparshëm të mund të dëshmojnë, megjithëse kjo do të krijonte shqetësime të sigurisë kombëtare. Ai vazhdon ta quajë farsë procesin ndaj tij.

Top Channel