Shkencëtarët kanë identifikuar një koronavirus të ri i cili është përgjegjës për infektimin e mbi 200 personave që nga shpërthimi I epidemisë në Wuhan në Kinës.
Përmes një videoje, CNN shpjegon fillesat e virusit të mistershëm shumë të ngjashëm me Sars-in, si dhe argumentet shkencore mbi gjenezën e tij. Origjina e virusit besohet të ketë qenë ky treg kafshësh të gjalla në Wuhan. Pamjet e regjistruara nga një klient i shqetësuar në fillim të dhjetorit tregojnë se atje shiteshin veç te tjerash edhe zogj të rrjepur, gjarpërinj e qen-rakunë, dhe janë të forta dyshimet se virusi mund të ketë kaluar pikërisht nga shpendët dhe kafshët tek njerëzit, për tu përhapur pastaj frikshëm në mbarë rajonin.
CNN thotë se nuk I ka verifikuar në mënyrë të pavarur këto pamje të postuara në mediat sociale kineze, por kur kontaktoi me shitësit e këtij tregu, ata nuk bënë asnjë koment. Leo Poon, ekspert pranë Universitetit të Hong Kongut dhe një nga të parët që arriti të çkodonte koronavirusin e Sars-it, beson se ky shpërthim epidemik mund të jetë shkaktuar nga një virus shtazor, që më pas ka arritur të transferohet tek njerëzit. Ndërmjet viteve 2002-2003, Sarsi infektoi më shumë se 8000 vetë në mbarë botën, vrau 774, ndërsa epidemia arriti të përhapej në plot 37 vende të ndryshme./Irida Vasia/
Top Channel