Refugjatët në Greqi flasin për dhunë masive dhe dëbime ilegale drejt Turqisë. Organizata të pavarura jo qeveritare thonë se po ndodhin kthime të refugjatëve, të ashtuquajtura Push Backs, nga policia greke pa asnjë lloj ligjshmërie, ndërkohë që Athina zyrtare hesht.

Sipas të dhënave të tyre, refugjatët pengohen të hyjnë në territorin e sovranitetit grek, ose aplikantët për azil detyrohen që në stacionet e policisë greke të kthehen mbrapsht me nxitim gjatë natës përmes lumit. Banorët, thotë DW, ndihen të lënë në baltë – dhe heshtin për qëndrimin agresiv të autoriteteve.

“Të gjithë këtu i njohin automjetet pa targa të policisë dhe kushdo e di që refugjatët i kthejnë ilegalisht”, tregon pronari i kafenesë në fshatin Praggi, të ndodhur pranë lumit Evros. “Unë ia kam dalë pas tentativës së katërt”, rrëfen një afgan 19 vjeçar në Selanik.

“Dy herët e para më kapi policia turke. Herën e tretë ajo greke. Ata më rrahën, më shkatërruan celularin dhe më kthyen mbrapsht në Turqi, ” shprehet ai. Në dhjetor revista “Der Spiegel” publikoi regjistrimet e kamerave të sigurisë, që dokumentonin të ashtuquajturat Push-Backs apo kthime ilegale, nga persona të maskuar në brigjet e lumit Evros.

Një nëpunës i Frontex-it, i cili patrullon në kufirin greko-turk, e vlerëson si të besueshëm materialin e verifikuar nga revista “Der Spiegel”, sikurse e konfirmoi dhe vetë një bisede jo formale për DW.

Top Channel