​Veliu: LDK nuk ka tjetër ofertë për VV-në, ne po i presim ata

21/01/2020 11:12

Me rastin e 14 vjetorit të vdekjes së presidentit, Ibrahim Rugova Lidhja Demokratike e Kosovës ka bërë homazhe tek varri i tij.

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu tha se presidenti Ibrahim Rugova shënoi shekullin e shqiptarëve.

“Në 14 vjetorin e shkuarjes së Rugovës në pavdekësi sot e kujtojmë presidentin historik, Ibrahim Rugova i cili e shënoi shekullin e shqiptarëve e kujtojmë arkitektin e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës me të cilin bota demokratike gati dy dekada e personifikoi Kosovën”, tha ai.

Veliu është pyetur nga mediat edhe lidhur me marrëveshjen e mundshme për koalicion qeverisës me Lëvizjen Vetëvendosje.

Veliu tha se ata kanë dërguar ofertë parimore the janë në pritje.

“Ne e kemi dhënë ofertën tonë dhe jemi në pritje që Vetëvendosja të deklarohet përndryshe ne diçka tjetër nuk kemi. Oferta jonë është ajo që është dhënë është parimore dhe sigurisht që edhe kryesia e LDK-së do qëndrojë aty”, tha ai.

Homazhe tek varri i ish presidenti të Kosovës, Ibrahim Rugova bëri edhe kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj i shoqëruar nga ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli. Kryesia e LDK-së në 14 vjetorin e vdekjes së presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova ka vizituar edhe familjen Rugova./KosovaPress/

Top Channel