E ftuar ditën e sotme në studion e misionit “Top Talk” të gazetarit Denis Dyrnjaja ishte zv/ministrja e Brendshme Romina Kuko. Një ngjarje e rëndë ka tronditur mbrëmë kryeqytetin, ku në tentativë për të kryer grabitje në një vilë në zonën e Alliasit, personat e armatosur kanë plagosur bashkëshortët biznesmenë në sy të vajzës 17-vjeçare.
Personat që mbetën të plagosur janë Petrit dhe Aferdita Laze.
Fillimisht ka qenë vajza e tyre 17-ë vjeçarja, e cila ka lajmëruar babain e saj, Petritin, i cili sapo ka dal në korridor është përballur me dy grabitësit e maskuar.
Ata janë përplasur dhe fizikisht, por njëri prej grabitësve ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar në pjesën e barkut Petrit Lazen. Më pas ka ardhur edhe bashkëshortja e Petritit, Afërdita, të cilën edhe atë e qëlluan me pistoletë në pjesën e këmbës. Grabitësit dyshohet se janë të njohur apo të afërm të çiftit . Petrit Laze ditën e djeshme iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale, pasi ishte në gjendje më të rëndë se bashkëshortja e tij, megjithatë ditën e sotme, të dy kanë dalë nga reanimacioni dhe janë jashtë rrezikut për jetën.
Zv/ministrja u shpreh në studio se kjo ngjarje është tepër e rëndë. Sipas saj policia ndodhet gjatë gjithë kohës në terren dhe po punon për kapjen e autorëve.
“Ngjarja e djeshme nuk është se ishte vetëm e shëmtuar dhe traumatike për sa i përket pjesës psikologjike, por ngjarja e djeshme ishte një krim. Ishte një krim që duhet të ndëshkohet dhe për të cilin policia është duke punuar në mënyrë intensive. Unë para se të vija këtu mora informacion nga policia, ka informacione të mjaftueshme ka disa pista ku policia po heton dhe shpresojmë të jemi afër zbulimit të kësaj ngjarje. Natyrisht që çështja e parandalimit të krimit është një çështje shumë e madhe, të cilën ne kemi qenë duke e diskutuar për këto vitet e shkuara, sepse në thelb ka të bëjë edhe me mënyrën sesi konceptohet edhe dhënia e sigurisë. Ne kemi thënë shpesh që parandalimi i kriminalitetit nuk i takon vetëm policisë, por i takon patjetër edhe institucioneve të tjera. I takon shkollave në fillim, pra të rinjtë që kanë tendenca delikuence të caktuara sepse duhet të fillojmë të pyesim pse një kriminel tenton që të shkojë dhe të kryejë një krim. Ky është momenti ku ne duhet të bëjmë parandalimin e kriminalitetit”, u shpreh zv. ministrja Romina Kuko.
Top Channel