Çifti i bashkëshortëve Petrit dhe Afërdita Laze, mbetën të plagosur mbrëmjen e së dielës, pasi dy grabitës hynë në shtëpi për të vjedhur.
Ngjarja ndodhi rreth orës 21:40 minuta, në zonën e Alliasit në Tiranë, kur dy autorët e maskuar, të ndihmuar edhe nga një i tretë hynë në shtëpinë e çiftit Laze. Dyshimet janë që ata kanë hyrë nga pjesa e pasme e shtëpisë.
Fillimisht ka qenë vajza e tyre 17 vjeçare, e cila ka lajmëruar babain e saj, Petritin, i cili sapo ka dal, në korridor është përballur me dy grabitësit e maskuar.
Ata janë përplasur edhe fizikisht me njëri tjetrin, por njëri prej grabitësve ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar në pjesën e barkut Petrit Lazen.
Më pas ka ardhur edhe bashkëshortja e Petritit, Afërdita, të cilën edhe atë e qëlluan me pistoletë në pjesën e këmbës.
Autorët të cilët hynë në shtëpinë e ciftit Laze, për të vjedhur para, u larguan menjëherë pas ngjarjes.
Grabitësit dyshohet se janë të njohur apo të afërm të çiftit që ata i lanë të plagosur.
Ndërkaq, burime nga spitali i traumës bëjnë me dije, se Petrit Laze, mbrëmjen e djeshme iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale, pasi ishte në gjendje më të rëndë së bashkëshortja e tij.
Megjithatë ditën e sotme, të dy kanë dal nga reanimacioni dhe janë në gjendje stabël jashtë rrezikut për jetën.
Policia e kryeqytetit ka shoqëruar disa persona të cilët mund të kenë dijeni mbi ngjarjen, megjithatë, plagosja është ende pa autorë përpara përgjegjësisë./ Andi Bora /
Top Channel