Pas dy javësh në Antalia të Turqisë për një minifaze përgatitore, skuadra e Kukësit është gati për të rifilluar pjesën e mbetur të kampionatit me synimin që të mbajë kreun asht si i mbylli dy fazat e para të sezonit.
Gjithçka për kampionët e dimrit rifillon nga Luftëtari i Gjirokastrës ditën e mërkurë. Skuadra e parafundit e renditjes dhe me shumë probleme, por për Shpëtim Duron, janë skuadra të tilla që kanë vështirësi më të madhe për t’u mundur.
“Nëse duam të fitojmë kampionatin fillohet nga Gjirokastra”, shprehet Shpëtim Duro.
Kukësi është ndër të paktat skuadra që në këtë merkato dimri nuk mori asnjë lojtarë, madje në minifazën e Turqisë shumë prej lojtarëve të Kukësit u vunë nën shënjestrën e klubeve të tjera.
Brenda javës së ardhshme, Kukësi do të luaj edhe ndaj Partizanit, rivalit kryesor për titullin, një ndeshje që për herë të parë do t’i zbresë verilindorët në “Air Albani Stadium”.
“Është një emocion shumë i madh për mua që kam kaluar një jetë si futbollist dhe trajner në Qemal Stafa dhe tani do të luajmë në këtë impiant modern”, shprehet më tej Duro.
Për Duron, Kukësi në këtë sezon është kampion i Shqipërisë.
“I kemi të gjitha parametrat që të shpallemi kampion”, tha trajneri i Kukësit.
Top Channel