Zeka për mosarritjen e koalicionit LVV-LDK: Demoralizues e terror psikologjik ndaj qytetarëve

17/01/2020 11:13

Kryetari i Partisë Euroatlantike të Kosovës, Milaim Zeka, ka komentuar situatën e krijuar politike, ku Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike të Kosovës ende nuk kanë arritur të merren vesh për koalicion bashkëqeverisës, duke thënë se nga kjo situatë e krijuar po humbin të gjithë.

Zeka në një deklaratë për Telegrafin ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës për mënyrën e komunikimit mes tyre.

“Jo vetëm që nuk u arrit koalicioni por komunikimi mes tyre është demoralizuese për votuesit, është terror psikologjik për qytetarët. Dy partitë të cilat kanë mundur të sjellin ndryshimin janë duke bërë luftë për poste”, u shpreh Zeka për Telegrafin.

Ndërkaq, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, përkundër takimeve të shumta që kanë zhvilluar nuk kanë arritur ende të bëjnë marrëveshje për bashkëqeverisje.

Së fundmi, kryetari i LVV-së, Albin Kurti i ka dërguar një letër kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa, ku ka shprehur keqardhjen për ndërprerjen e takimeve mes dy partive për të krijuar një koalicion qeverisës.
I pari i LVV-së, ka kërkuar që LDK të kthehet në tryezën e bisedimeve për ta bërë marrëveshjen e koalicionit.

Top Channel