Roshi konfirmon formën e mirë, gol edhe në miqësore

17/01/2020 21:54

Odise Roshi formën e mirë që po kalon e tregoi dhe në miqësore, teksa ishte protagonist në suksesin 2-1 të skuadrës së tij, Akhmat Grozni, ndaj hungarezëve të Pak. Roshi, që luajti si zakonisht titullar, mundi jo vetëm të ishte i rëndësishëm me lojën e tij, por gjithashtu shënoi dhe një gol.

Në fundin e pjesës së parë, kur rezultati ishte 1-0 për Akhmat Groznin, lojtari i Kombëtares devijoi saktë për në rrjetë një top të ardhur nga goditja e këndit, duke thelluar në 2-0 epërsinë e të tijve.

Një gol jo shumë i rëndësishëm, duke qenë se ishte një miqësore, por që tregon se realisht futbollisti po kalon një moment të mirë dhe që me të drejtë ka përfunduar në shënjestër të disa klubeve spanjolle të La Ligas, siç konfirmoi për Sport News pak ditë më parë Ardian Aliaj, menaxheri i tij.

Në kampionat, me skuadrën e tij, Roshi shënoi në 18 ndeshje në total 3 gola dhe të 3 në rezultate të ngjashme 2-1, ku 2 prej tyre u mbyllën me fitore.

Top Channel