Në nëntor të vitit 2019 Fiks Farë në bashkëpunim me Fundjava Ndryshe, sollën historinë e trishtë të familjes Kurti të cilët jetonin në kushte tejet të mjerueshme.

Shpëtimi, kryefamiljari nuk punonte, pasi fshati është shumë i thellë edhe nuk ka si t’i sigurojë të ardhurat. Kjo familje kishte 11 anëtarë, ndër të cilët 8 fëmijë. Tre djem të moshave 18, 15 dhe 3 vjeç. Dhe pesë vajza, të moshave 12, 10, 9, 3 dhe 2 vjeçe. Së bashku me familjen jeton edhe mamaja e Shpëtimit. Burimi i vetëm i të ardhurave është pensioni i të moshuarës, prej 90 mijë lekësh dhe ndihma ekonomike prej 109 mijë lekësh. Një nga vajzat ishte në kushte shumë të vështira shëndetësore. Pasi sipas prindërve kur ka lindur ka pasur një nishan te këmba, i cili sa ka ardhur dhe i është përkeqësuar. Kjo gjë ia ka vështirësuar ecjen dhe nëse i acarohet shumë i nxjerrë edhe gjak. Ajo e lyente vetëm me një krem, thjesht për ta qetësuar. Por, edhe ai i kishte mbaruar dhe nuk kishin mundësi për ta blerë.

Shtëpia në të cilën jetonin ishte skandaloze. E ndërtuar me anë të ndihmave vetëm me tulla, pa asnjë dritare apo derë. Fëmijët flinin në tokë dhe e vetmja mundësi për tu ngrohur ishte një sobë me dru.

Por jeta e kësaj familje të madhe, që sot është shtuar edhe më një djalë ka ndryshuar rrënjësisht. Pas transmetimit të kronikës në Fiks Fare, vetëm dy ditë më vonë, Presidenti i Balfin Group, Saimir Mane, dhe një nga kompanitë e tij Albchorme, mori përsipër rindërtimin e kësaj banese. Mobilimin e saj si dhe çdo gjë të nevojshme për fëmijët, sidomos për përmirësimin e shëndetit të tyre.

I pranishëm në dorëzimin e çelësave të shtëpisë së re, në mënyre simbolike vajzës së vogël Rogerta, drejtori ekzekutiv i kompanisë Albchrome, z. Luan Saliaj u shpreh se kompania dha kontribut për rikonstruksionin e shtëpisë dhe mobilimin total të saj me të gjitha pajisjet e nevojshme. Falë kompanisë Spar Albania, familja do të përfitojë pension mujor me ushqime për një periudhe 3 vjeçare. Gjithashtu vajza e sëmure, Rogerta, ka marrë trajtime mjekësore dhe të gjitha shpenzimet janë mbuluar nga Z.Samir Mane. “Nëse pas përfundimit të terapisë, mjekët vlerësojnë që vajza ka nevojë për ndërhyrje kirurgjikale, atëherë edhe në këtë rast të gjithë shpenzimet do të mbulohen nga Grupi Balfin”- theksoi Saliaj.

I pranishëm ishte edhe Orgest Beti, përfaqësuesi i “Fundjava Ndryshe” i cili falenderoi grupin Balfin për gatishmërinë dhe gjithashtu theksoi faktin që i gjithë ky investim të përkthehet në një ndihmesë për përmirësimin e cilësisë jo vetëm të jetesës, por edhe arsimimit të fëmijëve të kësaj familje.

Shpëtimi, bashkëshortja e tij dhe fëmijët falenderuan Z. Saimir Mane, emisionin “Fiks Fare” dhe “Fundjava Ndryshe” për kontributin që dhanë në ndryshimin rrënjësor të jetës së tyre.

Top Channel