Akuzat shkojnë në Senat/ Trumpin “e shet” ndihmësi i avokatit

16/01/2020 19:23

“Trump e dinte shumë mirë se çfarë po bënte me Ukrainën”; dëshmia e fortë kundër presidentit amerikan vjen nga ndihmësi i avokatit të tij, Rudi Xhuliani.

Lev Parnas deklaroi se shefi i Shtëpisë së Bardhë “e ka ditur saktësisht se si po zhvillohen përpjekjet” për t’i bërë presion Kievit që të hetonte mbi rivalin e tij politik, Joe Biden. Parnas  tha për televizionin MSNBC se ai ka shkuar vetë në Ukrainë për t’iu bërë presion zyrtarëve të atjeshëm, në emër të Trumpit dhe Xhulianit.

Synimi, siç dyshohet, ka qenë të dëmtohet Bideni, i cili mund ta sfidojë Trumpin në zgjedhjet presidenciale të nëntorit. Vetë presidenti amerikan mohon çdo përfshirje e tha se nuk e njeh fare Parnasin, një biznesmen amerikano-ukrainas dhe donator i Partisë Republikane. Dhoma e Përfaqësuesve e Shteteve të Bashkuara ngriti në muajin dhjetor dy akuza formale kundër Trumpit: për shpërdorim detyre dhe pengim të drejtësisë.

Çështja këtë javë i kaloi senatit, aty ku do të thuhet fjala e fundit për shkarkimin e kreut të shtetit. Por gjasat që senati i kontrolluar nga republikanët të votojë kundër Donald Trumpit, janë shumë të pakta. Presidenti vazhdon të këmbëngulë se nuk ka bërë asnjë shkelje dhe se hetimet kundër tij janë thjesht një “gjueti shtrigash”.

Top Channel