SHBA paraqet rezolutë: Ja vendet ku Soleimani po planifikonte sulme!

15/01/2020 16:53

Ambasada iraniane në Sarajevë hodhi poshtë akuzat se gjenerali Qasem Soleimani, kishte planifikuar një sulm terrorist në Bosnje dhe Hercegovinë.

Teherani i quan “ të pabaza” të tilla pretendime ndaj atij që regjimi i ajatollahëve e përshkruan si “ heroin e luftës kundër  terrorizmit dhe një simbol të fitores ndaj Shtetit Islamik”. Një rezolutë e dorëzuar në senatin amerikan nga republikani Ted Cruz pretendon se gjeneral Soleimani– kishte komplotuar për sulme në Bosnje, Gjermani, Bullgari, Kenia, Bahrein, Turqi e vende të tjera, duke synuar të vriteshin amerikanë dhe personel i ushtrisë së SHBA-së.

Ambasada iraniane në Sarajevë i quajti “të pavërteta” këto pretendime, që I referohen sipas saj “ burimeve tendencione dhe të rreme” të huaja. Ajo i bëri thirrje mediave t’i përmbahen parimit të ndershmërisë dhe të shmangin publikimin e informacioneve të pabazuara. Në rezolutë thuhet se Soleimani mbikëqyri sulmet terroriste në Irak, Afganistan dhe gjetkë, që thuhet të kenë vrarë me qindra amerikanë. Ajo e quan atë “ lideri terrorist i njësisë elitë Quds të Rojeve Revolucionare”, dhe e përshkruan më tej si “ kërcënim terrorist global për SHBA dhe bashkësinë ndërkombëtare.

Në një intervistë dhënë gazetarot kroat me origjinë libiane, Hassan Haidar Diab në vitin 2017, Soleimani thoshte se kishte luftuar në anën e boshnjakëve muslimanë në luftën e  Bosnje- Hercegovinës në 1993 dhe 1994. “Kudo ku muslimanët kanë nevojë për ndihmë, unë jam atje”, i pat thënë ai Haidar Diabit. Soleimani u vra në një sulm ajror amerikan pranë aeroportit të Bagdadit në 3 janar, një lëvizje kjo që I përshkallëzoi armiqësitë mes Teheranit dhe Uashingtonit.

Top Channel