Policia italiane tha të mërkurën se ka kryer një operacion të gjerë kundër mafias në Sicili, që kish gjetur mënyrën për të përvetësuar miliona euro nga fondet e Bashkimit Evropian të destinuara për fermerët.

Në total 94 persona janë arrestuar në aksione të kryera herët në mëngjes, tha prokurori publik i Mesinës. Mes të arrestuarve janë bosat e dy familjeve të mafias, një noter, sipërmarrës dhe administratorë publikë që kishin si detyrë të ndihmonin fermerët të kishin akses tek këto fonde.

Që nga 2013, e ashtuquajtura mafia Tortorici, me emrin e një qyteze të vogël në zonën malore të Nebrodit në verilindje të ishullit, kishte përvetësuar rreth 10 milionë euro fonde të BE. Klani pretendonte në mënyrë të rreme se zotëronte ngastra toke që në të vërtetë ishin në pronësinë e rajonit dhe këshillave lokale, duke kanalizuar kështu në xhepat e vet fondet e BE. Për mashtrimin, kanë luajtur rol punonjësit e një agjencie publike për pagesat bujqësore që shpërndan fondet e BE fermerëve dhe ata që punonin për qendrat e asistencës të ngritura për të ndihmuar fermerët në shfrytëzimin e këtyre fondeve. 48 nga të arrestuarit janë dërguar në burg, të tjerët janë në arrest shtëpie, tha policia.

Top Channel