Autoritetet malazeze arrestuan dy gazetarë të djelën; njëri u la i lirë dje, ndërsa tjetri është mbajtur në paraburgim. Arsyeja për ndalimin e tyre, ishte se kanë shkaktuar “panik“.

Gazetarët e site-ve lokale informative IN4S dhe Borba, Gojko Raicevic e Drazen Zivkovic, kanë nxjerrë sipas zyrtarëve vendas pa verifikuar më parë informacione mbi një shpërthim në vilën Gorica, e cila përdoret për pritje zyrtare. Informacionin e shpërndanë pas tyre edhe media të tjera.

Krerët e policisë e mohuan më vonë vërtetësinë e këtij lajmi, duke sqaruar se kishte pasur vetëm një problem me instalimet elektrike, por që ishte riparuar shumë shpejt. Megjithatë mënyra sesi u përcoll në media, sipas tyre, ishte e tillë që krijonte panik dhe nxiste prishjen e rendit. Pas lirimit, Raicevic i tha reporterëve se e kishte kontrolluar dy herë informacionin përpara se ta publikonte.

Sipas tij, arrestimi, edhe pse i përkohshëm, ishte thjesht një mënyrë për të frikësuar gazetarët. Shoqatat e këtyre të fundit kishin kërkuar që Raicevic dhe Zivkovic të liheshin menjëherë të lirë, duke paralajmëruar se veprimet e autoriteteve përbënin shkelje të lirisë së mediave. Madje Qendra për Raportimin Investigativ, CIN u hodh në kundërsulm, duke deklaruar se prodhuesi më i madh i lajmeve të rreme në Malin e Zi, sipas saj, është vete qeveria.

Top Channel