Për shkak të mungesës së reshjeve, përveç komunës së Gjilanit, edhe qytetarët e Prishtinës dhe rrethinës, mund të përballen me një krizë të ujit të pijshëm, thonë zyrtarë të Ujësjellësit Rajonal “ Prishtina”.

Ata sqarojnë se në këto momente, ka rënie të nivelit të ujit në liqenet e Badocit dhe Batllavës, prej të cilave sigurohet uji i pijshëm për më shumë se 140 mijë konsumatorë.Ujësjellësi Rajonal “Prishtina” është ndërmarrja më e madhe e furnizimit më ujë të pijes në Republikën e Kosovës, nga e cila furnizohen me ujë tetë komuna të vendit, përfshirë kryeqytetin.

Drejtori ekzekutiv i tij, Ilir Abdullahu tha se nëse vazhdon mungesa e reshjeve, gjatë ditëve në vijim, kompania do të fillojë të zbatojë masat e reduktimit. “Nëse nuk ka reshje, rezervat e ujit nuk janë shumë premtuese. Në Batllavë dhe Badovç, niveli i ujit ka rënë me 10 metra. Siç po shihet edhe gjatë kësaj jave mundësitë e reshjeve janë të pakta, ndaj situata nuk ndryshon, në të ardhmen mund t`i drejtohemi një krize”, tha Abdullahu.

Sipas tij, edhe pse tani është arritur të ruhet një furnizim me ujë për 24 orë, tanimë ka nisur plani për fillimin e reduktimeve, aty ku ekzistojnë mundësitë teknike, në mënyrë që të menaxhohen nivelet aktuale të ujit. Edhe në Shoqatën e Ujësjellësve të Kosovës (SHUKOS), pohojnë se mungesa e reshjeve, ka ndikuar në zvogëlimin e sasisë së ujit në nivel vendi, por më e rëndë gjendja, sipas kësaj shoqate, paraqitet në Komunën e Gjilanit, e cila që nga mesi i vitit të kaluar është përballur me një mungesë të ndjeshme të madhe të rezervave të ujit. Në këtë komunë tashmë janë duke u zbatuar reduktimet.

Top Channel