Hoti: Takimi i ardhshëm mund të bëhet kur Vetëvendosje ofron zgjidhje

13/01/2020 11:23

Anëtari i kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se në takimin e fundit kanë dhënë ofertën e tyre dhe tash i mbetet Lëvizjes Vetëvendosje që të vendos.

Sipas tij, takimi i ardhshëm mund të bëhet nëse partia që ka dalë e para ofron zgjidhje për marrëveshje.

“Ne jemi të interesuar për takim, por vetëm për takim për marrëveshje, e jo për vetëm sa për tu takuar”, ka shkruar ai në Facebook.

Sipas Hotit, në të gjitha takimet e mbajtura deri më tani me Lëvizjen Vetëvendosje, LDK ka shprehur gatishmërinë për bashkëqeverisje duke respektuar vullnetin e qytetarëve të shprehur më 6 tetor 2019.

“Vetëm një marrëveshje që reflekton këtë vullnet është e pranueshme për LDK-në dhe siguron stabilitet për Qeverinë për të kryer mandatin e plotë, që është tepër e nevojshme për të kryer reformat e nevojshme për zhvillim ekonomik e social dhe integrim evropian. Fatkeqësisht, deri më tani nuk është arritur një marrëveshje e tillë. Pavarësisht mos arritjes së marrëveshjes, në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës më 26 dhjetor 2019, e kemi bërë të qartë se LDK angazhohet për themelimin e institucioneve të reja sa më shpejtë. Është në dorën e partisë që ka dalë e para në zgjedhje të gjejë mënyrën për themelimin e institucioneve të reja. Në takimin e fundit ne kemi dhënë ofertën tonë për bashkëqeverisje. Dhe tani gjithçka është në dorën e Lëvizjes Vetëvendosje. Takimi i ardhshëm mund të bëhet nëse partia që ka dalë e para ofron zgjidhje për marrëveshje. Ne jemi të interesuar për takim, po r vetëm për takim për marrëveshje, e jo për vetëm sa për tu takuar”, ka shkruar ai./KosovaPress/

Top Channel