Arkëtimet në kinema/ “1917” rrëzon nga froni “Star Wars”

13/01/2020 14:42
George MacKay as Schofield in "1917," the new epic from Oscar??-winning filmmaker Sam Mendes.

Një film lufte kryeson edhe një herë klasifikimin për sa i takon arkëtimeve në kinematë e botës. Sidoqoftë, ai ishte i vendosur në transhetë e luftës së parë botërore dhe jo në një galaksi të largët.

‘1917’, drama e vlerësuar me çmime e studios Universal, e vendosur në luftën e parë botërore, mblodhi 36.5 milionë dollarë në Amerikën e Veriut këtë fundjavë. Dhe kjo mjaftoi për ta nxjerrë atë në vend të parë dhe për të rrëzuar nga froni Star Wars: The Rise of Skywalker. Pjesa e nëntë dhe e fundit e sagës “skywalker”, ka qenë numri një në box office-in amerikan për tre fundjava radhazi.

Arkëtimet e 1917-ës ndërkohë, mund të duken modeste, por fitorja e madhe e dramës, këtë fundjavë, është një fitore për Universal. Kjo fitore ndihmon studion ta ngrejë kokën pas dështimit me “Cats”.

“1917” po ashtu kapërceu pritshmëritë me 60.3 milionë dollarë të arkëtuara në kinematë e botës. Filmi që drejtohej nga regjisori i Skyfall, Sam Mendes, duket se mori një shtysë nga nata e madhe e tij në Golden Globes, fundjavën e kaluar.

Drama, flet për dy ushtarë të rinj britanikë, që luftojnë me kohën për të dërguar në destinacion një mesazh që mund të shpëtojë qindra jetë të tjera. Filmi mori në Golden Globes vlerësimin si filmi më i mirë, drama më e mirë dhe regjisori më i mirë.

Top Channel