Muzeu Maddame Tussauds heq figurën e Harry-t dhe Meghan-it nga këndi mbretëror

11/01/2020 09:45

Muzeu Madame Tussauds në Londër njoftoi se do të heqë statujat e dyllit të dukës dhe dukeshës së Sussex-it nga këndi i veçantë i familjes mbretërore.

Vendimi i muzeut erdhi pasi Meghan Markle dhe princ Harry njoftuan se do të tërhiqen nga detyrat mbretërore dhe kërkuan pavarësi financiare.

“Krahas pjesës tjetër të botës, edhe ne po reagojmë ndaj lajmit befasues se duka dhe dukesha e Sussex-it do të tërhiqen nga mbretëria,” tha Steve Davies, menaxher i përgjithshëm i Madame Tussauds në Londër.

“Nga sot, statujat prej dylli të Meghan-it dhe Harry-t nuk do të shfaqen më në këndin e familjes mbretërore,” shtoi Davies.

Madame Tussauds tha se ata do të veçohen nga familja për të pasqyruar “rolin e ri progresiv brenda mbretërisë”. Statujat e vendosura në Madame Tussauds në Nju Jork do të largohen gjithashtu.

Statujat prej dylli të dukës dhe dukeshës së Sussex-it u bënë publike vitin e kaluar dhe kushtuan nga $195,000 secila.

Të shumtë qenë njerëzit që reaguan të revoltuar mbi vendimet në fjalë.

“Seriozisht? Nuk kanë kaluar 24 orë. Ata janë ende mbretërorë, thjesht do të jetojnë ndryshe,” shkruhet në shumë komente online. Ndërkohë që të tjerë kanë ironizuar duke thënë se është mënyrë që Madame Tussauds të tërheqë vëmendjen pas statujës skandaloze të Nicki Minaj.

Top Channel