Një 33-vjeçare ka humbur jetën në spitalin e Durrësit në orët e para të mëngjesit të 9 janarit, ndërsa nuk është përcaktuar ende shkaku i vdekjes së saj.
Tri ditë më parë, Romina Myftiu, nënë e një vajze 8-vjeçare, ishte paraqitur në urgjencën spitalore me gjendje gripale dhe dhembje veshi.
Pasi i është dhënë ndihma e parë dhe është konstatuar një paralizë faciale, mjeku i ka kërkuar të kthehej të nesërmen për një kontroll te neurologu.
Po mëngjesin e ditës tjetër Myftiu është paraqitur në spital në gjendje të rënduar dhe është shtruar në reanimacion nga ku nuk ka mundur të dalë më.
Gjendja e saj është rënduar në mënyrë të shpejtë dhe pa mundur t’i përcaktohet paraprakisht një diagnozë. Në spitalin e Durrësit bëjnë të ditur se nuk kishte shfaqur simptoma të meningitit, po pati një regres të shpejtë të gjendjes shëndetësore.
Mostrat e gjakut të 33-vjeçares që punonte si arkëtare në një nga sportelet e Ujësjellës Kanalizimeve Durrës pranë lagjes 11 të qytetit, janë dërguar në laboratorin e Institutit të Shëndetit Publik në Tiranë nga pritet dhe përgjigjja për të kuptuar shkakun e vdekjes së saj dhe hedhur poshtë apo konfirmuar dyshimet për një tjetër rast vdekjeje nga sëmundja e meningitit. Ndërkohë në banesën e saj është bërë dezinfektimi dhe asgjesimi I sendeve personale që mund të mbanin infeksionin, ndërsa kanë djegur edhe dyshekun ku ajo flinte
Top Channel