Donacione për rindërtimin/ Presidentja e KE: Konferenca për Shqipërinë, më 17 shkurt

10/01/2020 15:31

Kryetarja e Komisionit Europian Ursula Von der Leyen deklaroi në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin e Kroacisë mbajtëse të presidencës së radhës së BE-së, takimi i donatorëve për Shqipërinë lidhur me dëmet e mëdha që shkaktoi në vendin tonë tërmeti i 26 nëntorit, është vendosur të organizohet muajin e ardhshëm në Bruksel.

“Bashkimi Evropian është i lumtur të deklarojë se konferenca e donatorëve për Shqipërinë do të zhvillohet në 17 shkurt, pas tërmetit tragjik që goditi këtë vend. Ne duam ta ndihmojmë Shqipërinë në përpjekjet e saj të rindërtimit”, shprehet Ursula.

Por Von der Leyen nuk u ndal vetëm këtu; ajo preku dhe çështjen e anëtarësimit të ngecur të vendit tonë dhe Maqedonisë së Veriut. Sipas shefes se KE-së, muajt e ardhshëm do të jenë tejet të rëndësishëm për Ballkanin Perëndimor. Ajo u shpreh qartë se do të behet gjithë çfarë është e mundur që procesi i çeljes së negocjatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut të avancojë.

“Do të punojmë për një metodologji e cila ta çojë përpara zgjerimin dhe të përmirësojë procesin e pranimit. Jam e bindur që kjo nuk do të na pengojë për të avancuar me procesin e hapjes së negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Iu kemi kërkuar shumë këtyre vendeve dhe tashmë ata i kanë plotësuar kriteret, ndaj ne duhet të mbajmë premtimet tona:, thotë ajo më tej.

Premtimi i Von der Leyn në fund, ishte se në Bruksel do të përpiqen ta gjejnë mënyrën që dera për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, të hapet.

Top Channel